Goditet banda shqiptare e drogës në Spanjë: Paratë i sillnin në Shqipëri me valixhe dhe blinin biznese e toka

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 16.06.2022, 18:33

Më 24 maj policia spanjolle ka shkatërruar një nga bandat më të mëdha kriminale me bazë në Katalonjë e cila merret me trafikun e marijuanës dhe ka kryer 56 arrestime. Sipas mediave spanjolle hetimi filloi në maj 2021, kur policia rajonale mori një ankesë anonime për një plantacion të mundshëm marijuane në një magazinë industriale në Sant Vicenç de Castellet, në rajonin Bages. Kur agjentët shkuan zbuluan plantacione marijuane që ishin të shpërndara në të katër provincat dhe të gjitha kishin instalime teknikisht shumë komplekse për të patur performancë më të madhe.

Gjatë kontrolleve, policia rajonale sekuestroi 1250 kilogramë sytha marijuanë, 22600 bimë dhe mbi 225765 euro cash, një pistoletë, një revole me fishekë të vërtetë dhe armë të ndryshme me tehe. Nga 56 të arrestuarit, të moshës nga 19 deri në 58 vjeç dhe me kombësi shqiptare, 13 janë burgosur. Besohet se organizata ka futur në xhep, vetëm në Katalonjë, më shumë se tre milionë euro me trafikimin e kësaj lënde, shifër kjo që mund të shumëzohet me tre ose katër me eksportin e kësaj lënde në pjesën tjetër të Evropës duke fituar nga nëntë deri në 12 milionë euro në vit.

Paratë që ata fituan në Katalonjë u kthyen në qarkun e ligjshëm të parave, kryesisht në tre mënyra. E para, duke dërguar para në Shqipëri, në vendin e origjinës së të arrestuarve, në valixhe apo transaksione të vogla ekonomike. E dyta duke blere biznese në Katalonjë, kryesisht lokale dhe kafeteri, në të cilat i investonin këto para dhe i kalonin si përfitim i këtyre bizneseve. Dhe së fundmi me blerjen e pasurive të paluajtshme nga drejtuesit e organizatës.

Organizata kultivoi dy lloje të marijuanës dhe këto dy lloje karakterizohen nga efekte shumë të fuqishme, për lehtësinë e kultivimit, lulëzimin e shkurtër dhe çmimin në tregun e zi që varion nga 2300 deri në 2500 euro për kilogram, dukshëm më i lartë se mesatarja e kësaj lënde. Droga që ata eksportonin në Evropë transportohej kryesisht me rrugë, por edhe nëpërmjet një dyqani në provincën e Barcelonës. Paratë e përfituara nga këto operacione të paligjshme ishin burimi kryesor i të ardhurave për organizatën, e cila riinvestoi një pjesë të vogël në instalimin e më shumë plantacioneve.

Katalonja, kopshti i Evropës

Autoritetet janë të bindur se prodhimi i marijuanës është rritur në mënyrë eksponenciale që nga viti 2017, me organizata evropiane që janë vendosur në Katalonjë. Banda e shqiptarëve sillte bashkatdhetarë për të kryer punën e kopshtarëve apo rojeve të sigurisë dhe, kur kishin precedentë penalë, i kthente në Shqipëri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit