Gallata shqiptare/ SPAKU që duhet të hetojë të tjerët, bën vetë tender të dyshimtë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 01.06.2022, 19:25

Shpesh herë të dashur miq kemi përdorur termin “çudira shqiptare” pasi ky ishte togfjalëshi i vetëm që mund t’i përshtatej më së miri mënyrës së si bëhen tenderat në Shqipëri. Megjithatë ashtu siç kalon koha, evoluojnë edhe togfjalëshat dhe në rastin e sotëm gjejmë me vend të përdorim më mirë “gallata shqiptare”.

Pikërisht kështu, pasi ky tender është një gallatë e vërtetë. E keni parasysh SPAK-un, atë institucionin që duhet të hetojë ndër të tjera edhe tenderat abuzivë? E pra, rezulton se SPAK bën për vete tendera të dyshimtë.

Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-24916-04-13-2022 dhe me objekt “Loti i Dytë: Blerje printera dhe fotokopje”, për një fond limit prej 4,275,032 lekë të reja pa TVSH ose rreth 51 milionë lekë të vjetra. Rezulton se në këtë tender kanë marrë pjesë 4 ofertues, por fitues nuk është shpallur oferta me çmimin më të ulët.

Konkretisht ka fituar oferta e firmës ALFA SERVICES në pronësi të shtetasit Fatos Çuçi, për vlerën 3,305,100 lekë të reja pa TVSH ose rreth 40 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Ndërkaq vlen të përmendet se një tjetër kompani ka ofruar vlerën prej 2,970,000 lekë të reja pa TVSH, pra disa milionë më pak se fituesi, por megjithatë nuk është marrë në konsideratë nga SPAK. Ka lezet apo jo?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit