Ushtria, spitalet, burgjet dhe studentët rrezikojnë të mbesin pa furnizime me ushqime

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 15.05.2022, 16:01

Disa institucione të Kosovës rrezikojnë të mbesin pa furnizime me ushqime dhe produkte tjera pasi kriza e çmimeve ka bërë që operatorët ekonomikë, në disa raste, të bëjnë kërkesë për ndërprerje të kontratave të furnizimit.

Në kuadër të institucioneve që mund të mbesin pa furnizim përfshihen edheushtria, spitalet, burgjet, Qendra Studentore e të tjera.

Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSUK) dhe Qendrën Klinike Universitare kanë konfirmuar se si rrjedhojë e rritjes së çmimeve ka vështirësi në realizimin e disa kontratave.

Zyrtarë të SHSKUK-së kanë thënë për KosovaPress, se në tri raste ka pasur kërkesë për ndërprerje të kontratave nga operatorët ekonomikë.

“Për sa i përket lëvizje të çmimeve në nivel global ka filluar të ketë vështirësi në realizimin e disa kontratave nga disa Operatorë Ekonomik. Kemi një kërkesë për harmonizim të çmimeve sipas berëzës i cili është thirrur në Ligjin për marrëdhënie të detyrimeve, e cila është refuzuar nga SHSKUK. Kemi pas tri raste kur kanë kërkuar t’i ndërpresin kontratat. Mirëpo, deri me tani, nuk kemi pasur pengesa apo tejkalime të mëdha të përmasave që ndikojnë në mbarëvajtjen shërbimeve të njësive të SHSKUK-së”, thotë Selami Krasniqi shef i prokurimit të SHSKUK-së.

Edhe nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) thonë se për shkak të çmimeve të larta ka pasur një njoftim nga Operatori Ekonomik “Beni Dona Plast” për vështirësi ne “Furnizime me artikuj ushqimor.

“Në lidhje me vështirësitë në furnizime për shkak të çmimeve mund të themi se kemi pasur një njoftim nga Operatori Ekonomik “Beni Dona Plast” për vështirësi në “Furnizime me artikuj ushqimor-Kategoria 4-Lot 1” dhe të brendshme AQP-AK-18-012-111 e cila kontratë është nën monitorimin e AQP-së (Agjencia Qendrore e Prokurimit). Me këtë njoftim operatori ekonomik iu ka drejtuar AQP-së, mirëpo edhe neve si Autoritet Kontraktues shpenzues. Në këtë njoftim Operatori Ekonomik në fjalë ka ngritur shqetësimin se për shkak të ngritjes së çmimeve mund të mos jetë në gjendje të vazhdojë furnizimin. Me këtë është njoftuar edhe AQP si nënshkruese e kontratës”, thekson për KP Fehmi Havolli, ushtrues detyre i shefit të Prokurimit në QKUK.

Për shkak të rritjes së çmimeve, përveç këtyre institucioneve, kjo kompani, ka vështirësi në furnizim dhe të Qendrës së Studentëve dhe Ushtrinë e Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është përgjigjur për KosovaPress, nëse ka marrë ndonjë njoftim nga operatori ekonomik për vështirësi në furnizim. “Për të gjitha këto kontaktoni Ministrinë e Mbrojtjes”, ka thënë, Vëllazerim Qerimi nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Megjithatë, Ibrahim Shala, drejtor i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun në Ministrinë e Mbrojtjes ka thënë se deri më tash nuk ka pasur ndonjë vështirësi në furnizimin e ushtrisë me ushqim, pavarësisht procedurave juridike që janë duke u zhvilluar me operatorin ekonomik.

Menaxheri në kompaninë “Beni Dona”, Valon Dervisholli, thotë se përveç vështirësive në furnizim janë duke punuar me humbje. Prandaj, kjo kompani kërkon rishikimin e kontratës nga Autoriteti Qendror i Prokurimit.

Derisa për policinë, ai thotë se është bërë tenderi i ri për furnizime.

“Ka shumë vështirësi, së pari kemi pasur vështirësi për furnizim me vaj e të tjera, po ashtu çmimet janë shtrenjtuar mbi 300 përqind… Kemi kërkuar prej AQP-së për rishikim, por nuk e kanë marrë parasysh kërkesën tonë. Kontrata është e nënshkruar me klauzolë. Ne kemi kontratën me AQP-në, në atë kontratë përfshihet QKU-ja, Qendra e Studentëve, Spitali, kështu janë të gjitha në një tender. Megjithatë, kontrata është e ndarë në disa pjesë, për ushqim, me artikuj higjenik. Ne i kemi dy loto… Çmimet janë astronomike, jemi duke punuar me humbje. Për FSK-në dhe për policinë janë kontrata të veçanta. Edhe pse me humbje ne i kemi furnizuar secilin institucion… për furnizimet me humbje të mëdha, ne kemi kërkuar me i rishikuar kontratat, por s’kanë pranuar jo vetëm për ne, por për askënd”, thotë Dervisholli.

Edhe nga kompania “Ada Group”, thonë se kanë vështirësi për furnizimin e institucioneve më vitale me produktet ushqimore dhe të pijeve. Driton Çitaku, drejtor menaxhues në kompaninë “Ada Group”, madje ka kërkuar edhe që të ndërpritet kontrata për shkak të humbjeve financiare.

“I furnizojmë institucionet më të ndjeshme, edhe me produktet më të ndjeshme, duke filluar QKUK-në, mensën e studentëve, Shërbimin Korrektues të Kosovës, çerdhet e Kosovës, të cilat i furnizojmë me mishna, me ujë dhe me produktin bukë, ose tre artikujt më të rëndësishëm…Edhe ushtrinë e Kosovës e furnizojmë me artikuj të pijeve. Po ashtu e furnizojmë edhe policinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës… ne kemi bërë edhe kërkesë me shkëputur kontratën duke mos u penalizuar ne si kompani, qoftë me paguar edhe një gjobë të caktuar, vetëm mos me u dëmtuar në tërësi, por kemi marrë përgjigje negative”, thekson ai.

Rritja e çmimeve po i sfidon edhe bizneset në përmbushjen e kontratave me institucionet publike.

Skënder Krasniqi kryetar i Odës së Afarizmit të Kosovës ka thënë se disa biznese kanë filluar të bëjnë edhe padi ndaj ndaj institucioneve të shtetit përkundër kërkesave të vazhdueshme nga Oda e Afarizmit që të rishikohen kontratat për furnizime.

Krasniqi thotë se bizneset e kanë të pamundur t’i furnizojnë me mallra ushtrinë, policinë dhe spitalet.

“Ne si Odë e Afarizmit kemi kërkuar edhe nga kryeministri dhe qeveria e Kosovës që të bëjë rishikimin e marrëveshjeve të mëhershme në mes të biznesit dhe institucioneve të shtetit për furnizim, qoftë për ushqim, dhe materialeve të ndryshme për komuna apo të qeverisë. Arsye kryesore është që me fillimin e pandemisë çmimet kanë ndryshuar dhe bizneset e kanë të pamundur t’i furnizojnë institucionet e Kosovës, spitalet, ushtrinë dhe policinë me ushqim dhe me pajisje të tjera me çmimet aktuale. Ne kemi kërkuar që të bëhet rishikimi, sepse të gjitha vendet kanë bërë rishikimin në bazë të ndryshimit të çmimeve. Kemi kërkuar nga qeveria, por nuk kemi përgjigje as në këtë drejtim. Thjesht Kosova po rrezikon të ketë ndërprerje të furnizimit me ushqim për spitalet, për ushtrinë për policinë për shkak të pamundësisë së bizneseve që t’i bëjë këto furnizime me çmime të njëjta si rezultat i ndryshimeve të mëdha. Disa biznese kanë filluar të bëjnë edhe padi ndaj shtetit për shkak të mos ndryshimeve edhe përkundër kërkesave”, thotë Krasniqi.

Ndërkaq, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se i kupton shqetësimet e bizneseve, mirëpo, sipas tij kontratat të cilat nënshkruhen me klauzola ato duhet të realizohen deri në fund.

“Jemi dakorduar të shohim nëse mund të gjejmë një zgjidhje. Megjithatë duhet të kemi parasysh se kontratat kur të merren kanë klauzolat e veta dhe duhet të qohen deri në fund. Çdoherë është rreziku i luhatjes së çmimeve qoftë për lartë qoftë për poshtë. Mirëpo, rreziku i njërës palë shndërrohet në përfitim të palës tjetër. Në rastin eventual po të kishte pasur rënie të çmimeve, asnjë operator ekonomik s’do të kishte ardhur te qeveria me thënë na ulni çmimet e kontratës s’e po mundem me i gjetur më lirë dhe kishte realizuar një fitim më të lartë. Pra, ketë rrezik e bartin të dyja palët dhe është rrezik i dyanshme. Por, megjithatë, si qeveri jemi duke parë nëse mund të bëhet diçka në lidhje me këtë temë”, thekson Murati.

Rritja enorme e çmimeve ose shkalla e inflacionit në vend për produktet esenciale ka arritur 11.2 për qind në prill derisa në muajin mars ka qenë 10 për qind.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit