Socialistët kundër rezolutës për masakrën e Srebrenicës, boshnjakët: Bojkotoni produktet dhe detin shqiptar

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 13.05.2022, 00:04

Ditën e sotme deputetët Socialistë votuan kundra një rezolute për dënimin e krimeve dhe genocidit serb në Srebrenicë, një iniciativë kjo e Sali Berishës dhe deputetëve të Komisionit të Rithemelimit. 51 deputetë votuan kundër kësaj rezolute dhe sipas Taulant Ballës, kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ky vendim erdhi pasi rezoluta u propozua nga Berisha.

Mosmiratimi i një rezolute të tillë u shoqërua me debate dhe tone të ashpra në Kuvend pasi rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë vjen në një kohë kur Shqipëria synon rol më aktiv në rajon. Këtu përfshihet një riformulim i marrëdhënieve me Serbinë përfshirë iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur,” ide e cila është përkrahur nga Serbia por është refuzuar nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat konsiderojnë se kanë probleme të pazgjidhura me Serbinë.

Pas vendimit të Parlamentit shqiptar për mosmiratimin e rezolutës kanë reaguar edhe boshnjakët. “Novi Pazar” një media boshnjake shkruan në “Facebook” se pas këtij vendimi boshnjakët duhet të bojkotojnë produktet shqiptare, bregdetin, transportin dhe mediat. Sipas tyre duke bojkotuar gjenocidin e Srebrenicës, Shqipëria u bë i vetmi vend në Ballkan që ra në anën e vrasësve.

Duke filluar nga sot, i bëjmë thirrje të gjithë boshnjakëve që të bojkotojnë të gjitha produktet nga Shqipëria, detin shqiptar, transportin, mediat. Per Kosoven ka rendesi qe te mos shkojne ne shqiperi!!! Duke bojkotuar gjenocidin e Srebrenicës, Shqipëria u bë i vetmi vend në Ballkan që ra në anën e vrasësve! Shkoni në Mal të Zi këta janë njerëz të vërtetë dhe vëllezër të vërtetë!!! Turp te kesh Edi Rama!!!

Kujtojmë se në vitin 1995 forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë rreth 8,000 burra dhe djem boshnjakë në Srebrenicë. Kjo masakër është dënuar si gjenocid nga Tribunali ndërkombëtar për krime lufte në ish-Jugosllavi me seli në Hagë dhe Ratko Mlladiq, komandanti i forcave serbe të Bosnjës dhe bashkëpunëtorë të tij janë dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë.

Mirëpo, përkundër klasifikimit ndërkombëtar që krimet në Srebrenicë të njihen si gjenocid, në Serbi autoritetet shtetërore vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin dhe të mohojnë që krimet në Srebrenicë ishin gjenocid.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit