Popullsia po zvogëlohet: Vdekjet tejkalojnë lindjet në Shqipëri

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.05.2022, 17:54

INSTAT ka publikuar raportorin e radhës në lidhje me demografinë në vend për tremujorin e parë të vitit dhe shifrat lënë shumë për të dëshiruar. Sipas INSTAT numri i lindjeve për tremujorin e parë 2022 është 6.056, duke shënuar një rënie me 4,2 %, krahasuar me tremujorin e parë 2021. Por një lajm i mirë vjen në lidhje me vdekjes pasi në tremujorin e parë 2022 janë regjistruar vetëm 7.938, duke shënuar një rënie prej 22,3 %, krahasuar me tremujorin e parë 2021. Por ajo që bie në sy në raport është se shtesa natyrore e popullsisë në tremujorin e parë 2022 tregon se janë1.882 vdekje më shumë se sa lindje.

Në raport thuhet Tirana është qarku me shtesën natyrore më të lartë me 203 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 379 vdekje më shumë se sa lindje.

Lindjet

Në tremujorin e parë 2022, katër qarqe të vendit shënojnë rritje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e parë 2021, ndërsa tetë qarqet e tjera shënojnë ulje, në krahasim me të njëjtën periudhë. Në tremujorin e parë 2022, qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 2.194 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 106 lindje. Rritjen më të lartë në përqindje të lindjeve gjatë tremujorit të parë 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 e zë qarku i Vlorës me 7,9 %, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Dibrës me 22,0 %.

Vdekjet

Në tremujorin e parë 2022, të gjitha qarqet e vendit shënojnë ulje të numrit të vdekjeve, në krahasim me tremujorin e parë 2021. Në tremujorin e parë 2022, qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 146 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1.991 vdekje. Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë tremujorit të parë 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, e zë qarku i Vlorës me rënie prej 30,1 %.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit