Ngritja e shpejtë e biznesmenit Nikolla Gruevski nuk kalon pa u vënë re

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 12.05.2022, 16:40

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka shënuar fillim të mirë në biznes, pasi firma e tij konsulente në Hungari, gjatë pesë muajve të fundit ka fituar 10 mijë euro, raporton “Balkan Insight”, duke i cituar mediat hungareze, njofton Nova Makedonija.

Aktivitetet që kanë kontribuar për këtë fitim nuk dihen, por mediat vendase spekulojnë se fitimet mund të jenë të lidhura me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë. Kurse Ministri i Jashtëm hungarez Peter Sijarto nuk i fsheh takimet e tij të rregullta me Gruevskin, sipas “Balkan Insight”.

Pas arratisjes në Hungari, Gruevski e shmang daljen në publik ashtu që për jetën dhe aktivitetet e tij dihet pak, por ai u bë sërish aktual në mediat lokale kur e regjistroi kompaninë I.C.I.C.

Kompania e re e Gruevskit, nga 14 korriku i vitit të kaluar, gjendet në një shtëpi në rrugën “Boskai” numër 9 në fshatin Pecel, i cili ndodhet 20 km larg Budapestit. Është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar I.C.I.C. Gruevski , sipas dokumenteve të publikuara në Regjistrin Qendror Hungarez të Kompanive, ka kërkuar dhe ka marrë leje për të filluar biznes me një kompani. “Dojçe Vele” raportoi se, sipas dokumenteve, kompania e Gruevskit është duke planifikuar aktivitete të gjera afariste në të paktën 10 sektorë të ndryshëm. Regjistrimi i kompanisë i ka kushtuar ish-kryeministrit të Maqedonisë 8350 euro.

Fokusi kryesor i kompanisë është biznes konsulencë, por është e licencuar për të ushtruar një gamë të gjerë aktivitetesh, si shitja e porcelanit, produkteve të qelqit, produkteve të pastrimit, ushqimeve, pijeve dhe duhanit, si dhe kryerja e PR, komunikimit dhe marketingut.

Gruevski gjatë regjistrimit të kompanisë e ka shënuar adresën e avokatit të tij në Budapest, ndërsa si adresë të dytë e ka shënuar atë në Shkup, në rrugën “Pavel Shatev” nr. 3 në Kisella Voda, sipas burimeve të shërbimit gjerman për media.

Besohet se rritja e shpejtë e biznesit modest do të tërheqë vëmendjen në Ballkan dhe më gjerë, duke pasur parasysh vendimet kundër Gruevskit dhe lidhjen e tij me qeverinë e kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Në fillim të muajit të kaluar, Gruevski u vendos në listën e sanksioneve të Departamentit Amerikan të Shtetit, por qeveria hungareze nuk ka gjasa të ndryshojë qëndrimin e saj miqësor ndaj ish-kryeministrit maqedonas për shkak të marrëdhënieve të tij të ngushta me Orbanin, përfundon “Balkan Insight”.

Prokuroria Publike në Maqedoni e akuzoi Gruevskin për organizimin e dhunës së 27 prillit 2017 në Kuvend. Që atëherë ai ka qenë në arrati në Budapest dhe më 27 qershor 2019, një gjykatë në Budapest vendosi të mos e ekstradojë ish-kryeministrin maqedonas. Gruevski kërkohet edhe për vuajtje të dënimit dhe për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit