Çudirat shqiptare janë vërtetë të pafundme. Jo vetëm një por shumë më tepër mund të gjenerohen çdo ditë në këtë vend të bekuar të quajtur Shqipëri. Njëra prej tyre e cila me siguri është e denjë për rekordet Guiness është edhe një tender i organizuar nga Morgu në Tiranë. Rezulton se “çunat” e morgut kanë dëshirë të marrin 3 fuoristrada prodhim i vitit 2022 me qira për një vlerë që shkon gati 100 milionë lekë.
Nuk dihet se përse morgut i duhen tre fuoristrada të 2022 për të bërë punën e tyre, pasi sigurisht nuk u duhen për të bër “xhiron e fundit” për të ndjerët e gjorë që kanë patur fatin e keq të përfundojë aty. E megjithatë plot 100 milionë lekë janë harxhuar nga buxheti i shtetit që morgu të marrë me qira fuoristradat e mësipërme.
Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-21372-03-07-2022 i organizuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore me objekt “Marrje me qira të 3 automjeteve” me fond limit 7,650,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 92 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Tenderi përveç objektit tepër të çuditshëm, është gjithashtu edhe tepër i dyshimtë për mënyrën se si është realizuar. Në rastin konkret shikohet se ka një mungesë konkurrence pasi ka fituar vetëm firma që garoi. Në rastin konkret bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve AFA RENT A CAR SHPK, – LIDER-AUTO FRANCE –AL SHPK – PARTNER të cilët kanë ofruar 7,599,960 lëkë të reja.
Kjo vlerë është vetëm 50 mijë lekë më e vogël se fondi limit i tenderit, pra kemi të bëjmë me një ofertë me vlerë mbi 99% të fondit limit. Një flamur i kuq ky që duhet tundur fort para “fytyrës” së SPAK.