Skandali/ Shërbimi Veterinar i Tana Kikës abuzon dhe me tenderin për groposjen e pulave të ngordhura  

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 30.03.2022, 22:57

Bjeri t’i biem miq, se në Shqipëri jemi. Kjo është shprehja që me shumë mundësi e përdorin rëndshëm të gjithë pushtetarët dhe militantët e partive që “fati” u ka dhënë të jenë në pozicione drejtuese në administratë. Vetëm pak ditë më parë shpërtheu skandali i gripit të shpendëve në vendin tonë ku një numër i madh pularish u detyruan të pranonin pas disa ditësh se pulat e tyre kishin ngordhur për shkak të gripit të shpendëve.

Autoritetet, kryesisht Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve e drejtuar nga Tana Kika, u përpoq ta mbante të fshehtë situatën për disa ditë madje pa përmendur as emrat e pularive derisa ngjarja u bë shumë e madhe dhe nuk mund të mbulohej më. E megjithatë më në fund u pranua se kishin ngordhur një numër i lartë pulash në pularitë e vendit. Tshmë duhej bërë vetëm asgjësimi i tyre, konkretisht groposja. Për kryerjen e groposjes së pulave mësohet se është realizuar një tender me vlerë limit 5,147,504 lekë të reja pa TVSH ose rreth 62 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Mirëpo rezulton se ky tender ka disa “çudira” të denja për SPAK. Fillimisht fituesi është publikuar më datë 28.03.2022 një kohë që përkon me shumë ditë pas groposjes faktike të pulave, pamje të cilat janë parë gjërësisht në media. Në këtë kuptim, nëse pulat janë groposuar para se të organizohej tenderi, kush i groposi dhe kush pagoi? Nëse groposjen e kanë bërë vetë pularitë më shpenzimet e tyre, ku përfunduan realisht milionat e akorduara për groposjen?

Por edhe nëse nuk e marrim aspak parasysh këtë që thamë, vetë tenderi ngjall dyshime sepse së pari është realizuar me një procedurë me negocim, pa njoftim pra nuk ka patur fare konkurrencë. Fituese është shpallur firma V.A.L.E. RECYCLING e Elvis Mirit, e përfolur shpesh në media për tenderat e dyshimtë që ka fituar si dhe për faktin se ka dyshime se pas saj fshihen “peshq” të mëdhenj. Së dyti, vlera fituese është sa 94% e fondit limit të tenderit. Kaq mjafton që të nisin hetimet, por si gjithmonë nuk duket se do e vërë njeri “ujin në zjarr”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit