Zjarri në Komisariatin e Kamzës ku humbi jetën 26-vjeçari, del raporti i ekspertëve të zjarrfikëses

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 29.03.2022, 17:04

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me zjarrin në Komisariatin e Kamzës, si pasojë e të cilit humbi jetën një 26-vjeçar, ndërsa u plagosën dy të tjerë. Pak më parë është publikuar raporti i ekspertëve të zjarrfikësve. Në këtë raport thuhet se shkaku i rënies së zjarrit ka ardhur si pasojë e faktorëve të jashtëm, pasi në atë ambient nuk ka pasur burim energjie, nga i cili mund të shkaktohej zjarri, çka do të thotë se në këto ambiente është përdorur lëndë ndezëse.

Ndër të tjera, thuhet se vatra fillestare e zjarrit ka qenë tek dhoma e izolimit, ndërsa pjesa tjetër e dhomave të izolimit, përfshirë edhe tualeti ku u gjet trupi i të riut, nuk ka pasur prani zjarri, por vetëm prani të theksuar tymi dhe bloze.

Njoftimi i plotë:

Nga raporti i ndërhyrjes nr. 374 , datë 27. 03. 2022, përpiluar nga eksperti i MZSH, Kamëz rezulton se pas marrjes së njoftimit dhe pas ndërhyrjes së tyre është konstatuar se në njërën nga dhomat e shoqërimit të Komisariatit Policisë nr.5 Kamëz kishte rënë zjarr, ku vatra e zjarrit ndodhej në dhomën e parë djathtas, në hyrjen e korridorit në dyshemenë e së cilës po digjeshin dyshek sfungjeri dhe batanije, ndërsa në pjesën tjetër të këtij ambienti nuk vëreheshin vatra të tjera zjarri, por kishte prani të theksuar tymi dhe bloze. Pas ndërhyrjes së tyre dhe shuarjes së zjarrit është konstatuar se në fund të korridorit ndodhej një duralumini e mbyllur , të cilën pasi e kanë hapur me forcë , brenda tualetit kanë vërejtur një person të shtrirë në dysheme, të cilin e kanë nxjerrë nga ambientet e komisariatit duke e transportuar te ambulanca.

Brenda këtij ambienti kishte edhe tre dhoma të tjera të mbyllura, por nga informacionet e punonjësve të policisë këto dhoma kishin kohë të mbyllura dhe brenda nuk kishte persona. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes vërehet se të dhoma e izolimit ku ka filluar zjarri, ndodhet një krevat mbi të cilin vërehen mbetje sfungjeri dhe të batanijeve të djegura nga zjarri si dhe në anën e djathtë të përballë krevatit dallohen grumbull materiali prej sfungjeri, rrobash të djegura , grumbull i cili mendohet të jetë dhe vatra fillestare e zjarrit, ku shikohet djegia sipërfaqësore e dyshekut dhe batanijes ka një masë gati 80 %, duke mos u djegur e gjitha si pasojë e ndërhyrjes së forcave së forcave zjarrfikëse, fakti i cili na bën të mendojmë se zjarri ka filluar në dysheme, tek grumbulli i sfungjerit dhe batanijeve që ndodhen në dysheme.

Theksohet se vatra fillestare e zjarrit është tek dhoma e izolimit, e cila ndodhet e para djathtas korridorit të hyrjes për në dhomat e izolimit, konkretisht tek grumbullimi i sfungjerit dhe batanijes i cili ndodhet në anën e djathtë të hyrjes për në dhomë. Zjarr ka pasur vetëm në këtë dhomë, ndërsa pjesa tjetër e dhomave të izolimit, përfshirë edhe banjon, ku u gjet trupi i personit, nuk ka pasur prani zjarri, por vetëm prani të theksuar tymi dhe bloze.

Nga kronologjia e ngjarjes, mendohet se shkaku u rënies së zjarrit ka ardhur si pasojë e faktorëve të jashtëm, pasi në atë ambient nuk ka pasur burim energjie, nga i cili mund të shkaktohet zjarri, çka do të thotë se në këto ambiente është përdorur lëndë ndezëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit