JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

“Hapet thesi”, firma REJ e Luan Kaprit fiton 2.7 miliardë pa garë dhe me vlerë 99% të fondit limit
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05/04/2021 19:06

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

U hap thesi miq! E ku ka më bukur? Fituam ndonjë llotari do mendoni ju? Jo, jo, aspak. Jo ne, por kompania REJ SHPK e Luan Kaprit, e cila ka fituar pa as më të voglin problem një tender stratosferik pa u lodhur fare. Po si ka mundësi do të thoni ju? E thjeshtë, jetojmë në Shqipëri dhe gjithçka mund të ndodhë. Le të dalim tek faktet. Në datë 18-01-2021 Bashkia Pogradec e drejtuar nga kryetari i saj Ilir XHAKOLLI, ka hapur një tender me numër reference REF-84129-01-15-2021.

Kjo procedurë prokurimi ka si objekt “Ujësjellësi i Mokrës Faza e II-të, Bashkia Pogradec”. Plot një muaj kohë rezulton t’i ketë lënë Bashkia Pogradec të gjithë të interesuarve që të paraqesin ofertat e tyre dhe më datë 24-02-2021 tenderi është mbyllur. Kushedi se sa kompani kanë marrë pjesë do të pyesni veten ju me të drejtë, bazuar në shifrën e lartë të tenderit. Në fakt jo dhe aq shumë. Më konkretisht ka marrë pjesë vetëm fituesi.

Pikërisht, nuk ka patur fare konkurrencë e për rrjedhojë as garë. Në këtë mënyrë pjesëmarrësi i vetëm është shpallur lehtësisht fitues i tenderit të majmë. Dhe nuk bëhet fjalë për pak para, por për plot 2.7 miliardë lekë të vjetra nëse llogarisim edhe vlerën e TVSH-së. Por cili ka qenë pjesëmarrësi i vetëm në këtë tender pa garë? Bëhet fjalë për firmën REJ SHPK në pronësi të Luan Kaprit dhe një shoqërie të quajtur KLIVA.

Kjo firmë ka marrë pjesë në tender së bashku me kompaninë “ADRIATIK” Shpk në pronësi të shtetasve Ardian Mustafaraj dhe Petrit Kovaçi. Oferta e tyre e cila u shpall edhe fituese, ka qenë 220,000,143 lekë të reja pa TVSH. Vihet re se kjo ofertë është gati e njëjtë me vlerën e fondit limit. Duke marrë në konsideratë që fondi limit ka qenë 221,972,534 lekë të reja pa TVSH, rezulton se vlera fituese është sa 99.11% e vlerës së këtij fondi.

Pra në këtë tender vihet re se ka dy momente tepër të dyshimta. Së pari që fituesi nuk ka patur asnjë konkurrent, pra në tender nuk ka patur garë, dhe së dyti që vlera fituese është identike me vlerën e fondit limit. Jo vetëm kaq, por nëse shikojmë historikun e tenderave të fituar nga firma REJ vihet re se vetëm në 7 vitet e fundit kjo firmë ka përfituar nga buxheti i shtetit plot 8 milionë euro, pa përfshirë vlerën e tenderit që ju paraqitëm më lart. Jo keq, apo jo miq?

KË DO VOTONI MË 25 PRILL?
  • KË DO VOTONI MË 25 PRILL?