Laert Duraj, administratori i Postës Shqiptare, i cili aktualisht garon si deputet në Gjirokastër, vazhdon me bëmat e tij. Të pafundme janë tenderat skandalozë që ka organizuar deri më sot nëpërmjet institucionit që drejton. Dhe me sa duket edhe pse tashmë është në fushatë, nuk e harron zakonin e vjetër të tenderave.
Kështu, Posta Shqiptare ka organizuar një tender me numër reference REF-87750-02-19-2021 dhe me objekt “Blerje makina kontrolli dhe numërimi elektronik parash”. Rezulton se Laert Duraj do të harxhojë rreth 60 milionë lekë të vjetra me TVSH, për të “numëuar” lekët.
Shikohet se tenderi, ashtu si thuajse gjithë të tjerët që ka organizuar, mban disi erë. Në të kanë marrë pjesë tre firma, nga të cilat njëra nuk ka ofruar asnjë ofertë ekonomike, ndërsa dy të tjerat kanë ofruar thuajse të njëjtën vlerë. Madje më konkretisht, diferenca mes tyre është vetëm 700 mijë lekë të vjetra.
Gjithashtu shikohet se vlera fituese është thuajse e njëjtë me vlerën e fondit limit. Të gjitha këto krijojnë dyshime të forta se fituesi i tenderit ka qenë i paracaktuar. Fituese është shpallur firma POWER INDUSTRIES në pronësi të Olta Xhaferit dhe Maksim Shena.