Çudirat nuk kanë të sosur në Shqipëri. Dhe ilustrimin më të mirë e bën një tender mjaft ironik në vetvete i Bashkisë Librazhd. Taulant Balla, deputet i zonës është akuzuar gjërësisht në media si shkaktari kryesor i prerjeve pa kriter të pyjeve të Librazhdit. Të shumta, madje të panumërta, kanë qenë denoncimet pranë redaksisë sonë të kamionëve me dru që shiheshin të qarkullonin nëpër rrugët e Librazhdit dhe Elbasanit.
Duket se Taulant Balla i ka dhënë një dorë të mirë shfarosjes së pyjeve të zonës. E megjithatë, “për të zgjidhur” këtë problem, duket se ka menduar Bashkia Librazhd e drejtuar nga Kastriot Gurra. Kjo bashki ka hapur një tender me objekt “Blerje pemë dekorative, farë bari+ lule, pleh kimik, organik + pleh për fushën e sportit” që mban numrin e referencës REF-87616-02-18-2021.
Në tender ka marrë pjesë vetëm një firmë, e cila natyrisht edhe ka fituar. Bëhet fjalë për firmën „AGRO – KORANI” në pronësi të Agron Korani, e cila ka ofruar vlerën prej 1,530,600 lekësh të reja pa TVSH ose rreth 18 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo vlerë nëse e krahasojmë me fondin limit, rezulton të jetë sa 97.33% e tij. Pra me një logjikë të thjeshtë, në fillim Taulanti i pret pyjet, pastaj Kastrioti bën tender për blerje pemësh dekorative. Bukur, apo jo?