JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Komandanti i Zjarrfikësve të Prishtinës flet për mungesën e kushteve të punës, thotë se kanë mungesë edhe të stafit
Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 13/01/2021 15:59

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Mosha mesatare e tyre është 48 vjeç, dhe tash e 17 vjet nuk kanë asnjë anëtarë të ri që i është bashkuar atyre. Me mungesë të kushteve të punës dhe pa u paguar sa u takon me Ligj, Zjarrfikësit e Kosovës, nga Brigada e Prishtinës rrezikuan jetën e tyre ditëve të fundit, për të evakuuar qytetarët e shumtë që Kosovës, shtëpitë e të cilëve u vërshuan si pasojë e të reshurave të shumta të shiut.

Vetëm gjatë të hënës, Zjarrfikësit e Kosovës kanë evakuuar mbi 50 qytetarë nga zona të cilat janë vërshuar nga uji i reshjeve të ditëve të fundit, kryesisht në Fushë Kosovë.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Latif Zeka në një prononcim për Telegrafin ka thënë se zona më e prekur nga vërshimet është ajo e komunës së Fushë Kosovës.

“Vetëm gjatë ditës së djeshme kemi evakuuar rreth 53 persona të cilët kanë qenë të ngujuar për shkak të vërshimeve. Më e prekura është komuna e fushë Kosovës, ka pasur vërshime më të mëdha, për shkak se territori është i tillë, më i rrafshët”, tha Zeka.

Brigada e Zjarrfikësve të Prishtinës, i mbulon edhe tri komuna të tjera pos Prishtinës, Fushë Kosovën, Obiliqin dhe Graçanicën, ku gjithsej janë 98 zjarrfikës, numër është tejet i vogël, pasi sipas Zekës vetëm Komuna e Prishtinës duhet të ketë në dispozicion 200 zjarrfikës.

“Ky numër nuk është aspak i mjaftueshëm, sepse Prishtina e vetme duhet t’i ketë 200 zjarrfikës. Kjo sipas Ligjit që është në 1100 banorë të jetë një zjarrfikës”, u shpreh Zeka, i cili bëri të ditur se mosha mesatare e zjarrfikësve të Prishtinës është 48 vjet, ndërsa tash e 17 vjet nuk është pranuar asnjë zjarrfikës në Brigadën e Prishtinës.

“Për momentin unë i kam edhe 22 vende të lira, sipas buxhetit që e kam, kam buxhet për 118 zjarrfikës, por nuk po mund të merren vesh Agjencia e Menaxhimit Emergjent me Komunën për ta shpallur konkursin, sepse ligjërisht jemi në kuadër të AME-së, ndërsa na paguan Komuna, statusi ynë nuk është zgjidhur ende”, deklaroi Zeka për Telegrafin.

Ata punojnë gjatë festave, gjatë natës, gjatë fundjavave dhe në çdo kohë të nevojshme pas orarit të rregullte, por edhe pse me Ligj u takon pagesa shtesë, ata deklarojnë se nuk i marrin këto pagesa.

Mosha mesatare e zjarrfikësve në Kosovë është 48-vjeç dhe tash e 17 vite nuk është hapur konkursi për zjarrfikës të rinj në Republikën e Kosovës.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, Latif Zeka në një prononcim për Telegrafin ka thënë se pagat e tyre sillen nga 440 deri në 600 euro, por që u mungojnë edhe stafi, edhe kushtet e punës, ndërsa deklaroi se përveç pagës bazë, ata nuk paguhen për punën që e bëjnë gjatë festave, gjatë natës, gjatë fundjavave, e as për orët shtesë.

“Nuk u paguhen orët shtesë, as orët e natës, që ligjërisht u takojnë, as festat të cilat të gjitha u takojnë zjarrfikësit”, tha Zeka.

Ai tha se edhe për kushte të punës kanë ankesa.

“Ditëve të sotit në Prishtinë, ka ndërtesa që janë ndërtuar më shumë se 20-katëshe. Shkallët hidraulike janë 32 metra, nuk janë të mjaftueshme aspak. Pajisjet për shuarjen e zjarrit i kemi, por nuk kemi njerëz. Nëse ndezët në mal zjarri, nuk kemi njerëz të mbulojmë atë hapësirë”, tha ai.

“Ne pa marrë parasysh që kemi kapacitet njerëzor për përmbushjen e atyre kërkesave çka kërkohen, na po mundohemi maksimalisht të jemi sa më afër qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai, ndërsa theksoi se një ekip e specializuar e kanë dërguar në qytetin e Vushtrrisë për tu dal në ndihmë qytetarëve atje për të punuar në këtë zonë.

/Telegrafi/