Detaje të reja janë zbardhur nga sherri mes dy biznesmenëve në zonën e ish-Parkut të Autobusave në Tiranë, ku mbeti i plagosur investitori Sino Llanaj, i dhunuar pak ditë më parë nga njerëzit e biznesmenit tjetër. Mësohet se në kërkim është shpallur Bert Allmuça, i cili ka qëlluar ndaj Llanajt, por edhe ndaj një kalimtari të rastit, i cili ka mbetur i plagosur rastësisht.
E gjithë ngjarja ka ndodhur për pallatin e papërfunduar dhe bëhet me dije se dy biznesmenët janë në proces gjyqësor me njëri-tjetrin për një borxh të papaguar. Qytetarët që kanë paguar paratë tek biznesmeni Llanaj nuk lejohen të hyjnë në apartamente nga Allmuça, pasi nuk janë përfunduar punimet. Ditën e sotme, Llanaj ka shkuar tek pallati i shoqëruar nga disa persona dhe kanë dhunuar rojen që ka dashur t’i pengojë. Pas kësaj, në vendngjarje mbërrin Allmuça me disa persona të tjerë dhe plagos Sino Llanajn dhe Klajdi Gomian, kalimtar i rastit.
Kujtojmë se kjo ngjarje ka qenë e paralajmëruar, pasi vetëm disa ditë më parë, po të njëjtit persona u konfliktuan në mes të rrugës.