Përsëri bashkëpunim PS-PD, dhe përsëri Voltana Ademi dhe Sadri Abazi. Duket se kohët e fundit një “dashuri” e çuditshme tenderash ka lindur mes kryetares demokrate të Bashkisë Shkodër dhe ish-deputetit socialist Sadri Abazi. Nëse vetëm pak ditë më parë Voltana i dha kompanisë së lidhur me Sadriun rreth 180 milionë lekë të vjetra me TVSH për rikonstruksion rrugësh, tashmë e ka shumëfishuar vlerën që do t’i derdhë në llogari kompanisë së lidhur me të.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Shërbimi i Pastrimit për Bashkinë Shkodër Zona Qendrore”, që mban numrin e referencës REF-83533-12-30-2020. Voltana ka shpallur fituese kompanitë “ALKO-IMPEX General Construcion”sh.p.k dhe “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” sh.p.k. të dyja të drejtuara nga Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit socialist Sadri Abazi. Kësaj rradhe vlera shkon në rreth 700 milionë lekë të vjetra me TVSH, një shifër kjo tepër e madhe. Vihet re se procedura e përdorur ka qenë me negocim, pa njoftim, pra pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, që do të thotë se egzistencën e tenderit e dinin vetëm ata që morën pjesë.
Kjo është një formë e njohur për të eliminuar konkurrentët që mund të ofrojnë vlera shumë më të vogla sesa ata që janë planifikuar të fitojnë, në rastin konkret kompanitë e lidhura me ish-deputetin socialist. Një tjetër detaj interesant që të bën të dyshosh shumë në rregullsinë e tenderit është edhe afati i hapjes dhe i mbylljes së tij. Kështu, Voltana e ka hapur tenderin në datë 31 dhjetor 2020 në orën 19.30 të darkës dhe e ka mbyllur në datë 05 janar 2021 në orën 15.00. Pra tenderi ka qëndruar hapur gjatë kohës kur shteti ishte praktikisht pushim, situata perfekte kjo që çdo fitues i paracaktuar tenderi, do të preferonte. Duket se PS dhe PD vazhdojnë të bëjnë të pashqetësuara biznesin e tyre në kurriz të shqiptarëve.