“O Erion, o hajdut, paret tona ku i ke fut?”. Mendoni se po e teprojmë? Aspak. Madje po tregohemi tepër të butë. Duket se Erion Veliaj ka tejkaluar çdo masë. Jo thjesht për propagandën dy-lekëshe që i ka dalë boja prej kohësh e që nuk ia beson më askush, por për vjedhjet “ashiqare” që bën në mes të ditës.
Dhe për këtë ka shfrytëzuar të vetmën mënyrë që ia jep këtë mundësi: tenderat. Në mënyrë të pabesueshme ka dhënë rreth 1.5 milion euro për të blerë materiale për mbrojtjen personale nga COVID-19. Ka dy aspekte që e mbërthejnë mirë lali Zdromsin në këtë tender.
E para është fakti që njëra nga kompanitë në garë ka ofruar plot 500 mijë euro më pak sesa fituesi, dhe përsëri është skualifikuar. Dhe aspekti i dytë është fakti se materialet nevojiten për një periudhë 2-vjeçare, por nëse lexon specifikimet e tenderit, mëson se për materialet është kërkuar një skadencë 6-mujore apo 1-vjeçare.
Le t’i analizojmë me rradhë të dyja këto pika. Rezulton se miku më i mirë i Arsen Lupenit, lali Zdromsi, ka organizuar një tender me objekt “Blerje materiale për mbrojtjen personale nga Covid-19”. Për realizimin e tij ka shfrytëzuar Drejtorinë e Përgjithshme të Objekteve Publike Tiranë, e cila është në varësi direkte të Bashkisë Tiranë. Rezulton se kjo drejtori ka nevojë për disa artikuj të mbrojtjes personale ndaj Covid-19 të cilat janë maska respiratore me nivel mbrojtës FFP2, maskë kirugjikale e thjeshtë me një përdorim, doreza plastike një përdorimëshe, termometër dixhital infrared, xhel antiseptik për higjenizimin e duarve, solucion dezinfektant me bazë alkooli, sapun lëng etj, etj.
Spas dokumentacionit të tenderit, rezulton se në garë kanë marrë pjesë 11 operatorë, nga të cilët 8 operatorë kanë paraqitur ofertë më të ulët se fituesi ose nuk kanë ofruar fare vlerë! Mjafton të përmendet vetëm një fakt skandaloz: njëra nga këto kompani ka ofruar rreth 500 mijë euro më pak sesa fituesi! Le të dalim tek aspekti i dytë, skadencat e materialeve. Nëse shikon të dhënat e tenderit, mësohet se kohëzgjatja e kontratës është 24 muaj.
Nga ana tjetër pjesa dërrmuese e materialeve të kërkuara në specifikimet e tenderit, thuhet se duhet të kenë afat skadence 6-muaj apo 1-vit. Është e paqartë se si mund të kërkohet një skadencë e tillë, në një kohë që kontrata është 2-vjeçare? Pra në rastin më të mirë, këto materiale mbrojtëse anti-Covid19 do të jenë të skaduara prej së paku 1 viti!
Por cilët janë fituesit? Rezulton se bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve ekonomikë IDS Detergenti sh.p.k me administrator dhe ortak të vetëm shtetasin Ejup Sula, Gentian Horjeti p.f. dhe Frozzer shpk me administrator Gentjan Haka, dhe pronarë Pëllumb Gjoka me 60% të aksioneve dhe Gentjan Haka me 40% të aksioneve. Ky bashkim operatorësh ka fituar me një ofertë ekonomike me vlerë: 143,692,670 lekë të reja pa tvsh, ekuivalente me rreth 1.5 milionë euro me TVSH.