JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Petrit Maho i përkëdheluri i “Rilindjes”/ Pas koncesionit të ushqimeve, rrjep shqiptarët me testet e COVID-19
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 19/11/2020 15:49

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Lekist nga të gjitha anët dhe “mjeshtër” në të gjitha fushat. Gjithashtu mund ta quajmë edhe “ujk” të taksave të shqiptarëve, pa u menduar dy herë. E kemi fjalën për Petrit Mahon, i cili duke përfituar nga mjegulla e pandemisë së koronavirusit është duke bërë namin në koncesionet e qeverisë dhe të drejtat që ajo i jep. Pas qokës nga Bledi Çuçi, i cili me urdhër të Ramës dhe me bekimin e Tao Ballës, Maho dhe kompania e tij NOVAL, fitoi koncesionin e kontrollit të cilësisë ushqimore, ‘ujku’ ka kërkuar që të zhvasë më tepër shqiptarët, të cilët në këtë periudhë pandemie janë si mos më keq.

NOVAL i Mahos, që mori koncesionin duke shkelur me të dyja këmbët ligjin, mbi kontrollin e cilësisë së ushqimit dhe duke nxjerrë jashtë loje AKU-në, tashmë ka fituar edhe të drejtën e kryerjes së tamponit të COVID-19 në laboratorin e tij me bekimin e qeverisë, personalisht Ramës, i cili i shkon edhe për vizitë. Petrit Maho, e ka ditur që situata e krijuar dhe frika te shqiptarët nga virusi, do të bënte që ai të shtonte edhe më shumë eurot në llogarinë e tij bankare, e pikërisht duke futur duart në xhepat e qytetarëve.

Deri më tani kompania e Petrit Mahos ka fituar 217 tendera nga Institucionet e Shëndetësisë, të cilët kapin vlerën e më shumë se 2 miliard lekëve me TVSH. Maho njihet për lidhjet e tij me qeverinë aktuale, pasi në 8 vjet qeverisje nga Rilindja, duket se atij i ka prirë mbarë me tenderat në shëndetësi dhe depot farmaceutike.

Maho, është një nga oligarkët, i cili lidhjet me politikën nuk i mbarojnë kurrë, por sa vijnë edhe shtohen. Ai është mik i ngushtë i vëllait të Taulant Ballës, i njohur i Tom Doshit dhe “partner në krim” me ish-prefektin socialist të Shkodrës, Paulin Radovani . Këto njohje dhe ngrohje shpatullash kanë bërë që laboratorët e tij NOVAL dhe Intermed të kryesojnë listën në koncesionet e Ministrisë së Shëndetësisë, që siç shihet kohët e fundit janë shtuar shumë. Kujtojmë se rreth një vit më parë kompania e tij "Noval Laboratory" u përfol për shkak se ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, firmosi një urdhër me anë të të cilit kompania në fjalë do të kryente analizat dhe testet për kampionet e mbledhur nga AKU deri në vitin 2022. Siç e kemi theksuar më parë, ky urdhër nxirrte jashtë loje laboratorët e AKU dhe ISUV dhe krijonte një lloj koncesioni për kompaninë Mahos. Po ashtu u zhvlerësua edhe gjithë ai investim prej 45 milion eurosh nga BE me krijimin e 9 laboratorëve të AKU-së.

Ashtu si laboratorët e tjerë që i binin në kokë më çmimin e testit PCR, edhe Noval i Mahos rripte shqiptarët për një tampon me vlerë 12000 lekë, por pas denocimit të bërë nga JOQ ALBANIA, laboratori i tij dhe privatët e tjerë ulën çmimin në 8500 lekë, duke e trumpetuar me të madhe marrëveshjen me Ministrinë e Shëndetësisë, që pavarësisht uljes vazhdon të jetë zhvatëse pasi ka çmimin më të lartë në rajon. Megjithatë, nuk është aspak rastësi dhe është totalisht një lojë e madhe politike që biznesi privat i Mahos, është i përkëdheluri i Rilindjes, pasi sa herë që bëhet fjalë për koncesione që detyrimisht duhet të paguajnë shqiptarët, NOVAL hap gojën që paratë e taksapaguesve të shkojnë drejtpërdrejt në biznesin e Petritit, fitimet e të cilit po shkojnë mbi "stratosferë”.