JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

|Zhvatje, korrupsion, klientelizëm| Klod Allajbeu i “Spitalit Amerikan” vjedh shqiptarët edhe tek tamponat
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 17/11/2020 20:05

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Në një marrëveshje të dyshimtë që nga gjeneza e saj, qeveria shqiptare u detyrua që përpos ofrimit të tamponit falas nga ISHP, ku përgjigja del për 7 ditë, e deri atëherë nuk dihet se sa veta mund të kesh infektuar nëse je pozitiv me Covid, si çdo gjë tjetër në vendin tonë, sidomos kur flasim për fushën e Shëndetësisë, ky shërbim iu kalua privatit. Dy laboratorët privatë të certifikuar nga Shteti Shqiptar për të kryer tamponin, janë “ALNET” i Spitalit Amerikan dhe Intermedica. Sot do të ndalemi tek i pari, burimi i parave të Klod Allajbeut dhe përfitimi i tij nga taksat e shqiptarëve ndër vite, mos harrojmë pa përmendur aferat, ku sot do të zhvillojmë këtë të fundit, temë që është cekur shumë pak nga mediat.

Çmimi që qytetarët shqiptarë i duhet të paguajnë privatit për të marrë përgjigjen e tamponit brenda 24 orëve është 100 euro, ose 120 mijë lekë të vjetra, shumë kjo më e larta në krahasim me vendet e tjera të rajonit ku një test për Koronavirusin shkon maksimumi deri në 70 euro. Një shfrytëzim total i një të drejtë që i është dhënë nga Qeveria për të zhvatur ekskluzivisht qytetarët shqiptarë.

(Një informacion më të gjerë në lidhje me abuzimin e çmimit të testit të Covid mund të lexoni në artikullin tonë të mëparshëm, duke klikuar këtë link)

Ironia e gjithë kësaj situate qëndron në faktin se në muajt e parë në pandemisë në vend, konkretisht në Prill, Spitali Amerikan nisi të kryente testet e Koronavirusit nëpërmjet analizave të gjakut, pa patur një certifikim për diagnostikim të Covid, teste këto me vlerë 150 deri në 350 euro. Në këtë kohë Prokuroria e Tiranës njoftoi se Policia e Shtetit kishte ngritur padi ndaj Klod Allajbeut, pronarit të Spitalit Amerikan dhe Hygeias dhe do të niste hetimet për mashtrim dhe kontrabandë me testet e Koronavirusit. Menjëherë pas kësaj, çështja u zhduk në ajër dhe Spitali Amerikan bashkë me Intermedican mori “bekimin” e qeverisë për të kryer testet.


Allajbeu, pronari i dy spitaleve më të mëdha në vend i dendur me koncesione dhe tendera

Për të gjithë ju që s’e dinit, zotërues i SPITALIT AMERIKAN është BALKAN ALLIANCE HEALTHCARE B.V. me 100% të aksioneve, ndërkohë që është zotërues me 100% të aksioneve të SPITALIT HYGEIA.

Thuhet se SPITALI AMERIKAN është në pronësi të mbiemrave të njohur të politikës, Basha, Berisha e Rama, por si ndodhi ky transaksion i blerjeve të aksioneve Hygeias me zyra në Shqipëri-nga Kosova? Pra kështu, në shkelje të plotë të Protokollit 32 Kosovë-Shqipëri, për bashkëpunimin ekonomik, me bizneset që operojnë në dy anët e kufirit, është kryer me ndërmjetësi të paligjshme për të marrë HYGEIAN, duke përbërë krim financiaro-ekonomik dhe cënim detyrimesh ndërshtetërore. Kështu Allajbeu ka blerë HYGEIAN në instucionet e Kosovës, pronë e regjistruar në Shqipëri.

Kjo lloj mënyre, sipas zyrtarëve të Autoritetit Shqiptar të Konkurencës, është lojë e pastër dhe e qartë për pastrim të parave të pista, nëpërmjet transaksionit të kapitaleve, pasi në vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurencës, nuk pasqyrohet vlera financiare e aksionit pasuror që transferohet me shit-blerje.

AUTORITETI KOSOVAR I KONKURENCËS, Vendimi nr.59/18 Data: 15.08.2018

BLERËSI Blerjen e 100% të aksioneve, kontrata e lidhur më datën 06.07.2018 për shitjen dhe blerjen e të gjithë kapitalit aksionar nga American Hospital Tirana, e cila synon të blejë 100% të aksioneve që DTCAH zotëron tek Hygea Shqipëri ( Transaksioni ) . Parashtruesi i këtij njoftimi është American Hospital sh.a, e themeluar sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë, në datën 17.02.2006, me NUIS K6182100C (tutje ref. AH).

AH kryen investime dhe shërbime në fushën e mjekësisë dhe shëndetit, menaxhon spitale dhe klinika private. AH është aksionar i vetëm i shoqërisë American Hospital Kosova Sh.P.K., me nr. regjistrimi të biznesit 70789396, me adresë të regjistruar në Rr.Shkupi, nr.25, Prishtinë ( tutje ref. A.H.K )

SHITËSI “Hygeia Hospital Tirana”, e themeluar sipas ligjit të Republikës së Shqipërisë me datën 25.04.2007, me NUIS K71822007C ( tutje ref, Hygeia Tirana ose HHT ). Të gjitha aksionet e Hygea Tirana zotërohen nga Diagnostic and Therapeutic Center of Athens Hygeia SA, një shoqëri aksionare e themeluar sipas ligjit grek,me nr. identifikues 094027767 ( tutje ref. ’’DTCAH’’).

Hygeia Tirana ushtron aktivitetin e saj në Shqipëri në fushën e ofrimit të sherbimeve shëndetësore. Hygeia Tirana nuk ushtron aktivitetin e saj në Republikën e Kosovës edhe pse në Kosovë ka themeluar degën e kompanisë së huaj ’’Hygeia Hospital Tirana Branch in Kosovo’’ me nr. te regjistrimit të biznesit 810012188 dhe me adresë Rr. ’’ Edit Durham “, nr. 14 Prishtinë (tutje ref. Hygeia dega ne Kosovë që ka të bëjë vetëm me hulumtimin e tregut dhe matja e opinionit publik (sondazhet), në cilësinë e shitësit.

Përgjatë viteve 2015-2018, “Amerikani” i Allajbeut ka përfituar 35 MILIONË LEKË PA TVSH për transaksione derdhje Thesari nga Buxheti i Shtetit Shqiptar.


MINA KUSTA I ALBCONTROL I BËN DHURATË ALLAJBEUT PËR VIT TË RI GJYSMË MILIARD LEKË

Skandali më i madh me tenderin e dhënë për SPITALIN AMERIKAN nga Albcontrol ka disa fakte të frikshme që dëshmon se si paratë e popullit të varfër shqiptar hynë në xhepin e Allajbeut dhe atij nuk i bën “syri tërr” dhe as nuk hetohet për korrupsion dhe përfitimin fondesh publike të dyshimta në shkelje nga më absurdet. Si çdo vit Albcontrol i Mina Kustës hap tenderin skandaloz prej rreth GJYSMË MILIARDI ME TVSH për kujdesin shëndetësor të 322 punonjësve të tij dhe familjarëve të tyre.

Në vitin 2014, Albcontrol i ka dhënë 300 MIJË EURO Spitalit Amerikan për kontrollin shëndetësor të punonjësve të saj dhe po ashtu në vitin 2015, 400 mijë euro për të njëjtin shërbim, 700MIJë EURO NË TOTAL PËR DY VITE. Në tender morën pjesë vetëm Spitali Amerikan dhe fiktivisht MONTAL e Skënder Lufit që nuk paraqiti ofertë ekonomike. Fakti gazmor këtu qëndron tek pjesa se MONTAL tregton materiale mjekësore në fushën e Shëndetësisë dhe nuk kryen fare analiza shëndetësore. Gjithashtu Spitali Amerikan është klient i MONTAL, pasi ky i fundit i ofron atij shërbimin e mirëmbajtjes së pajisjeve të dializës dhe furnizimit me solucione dialize. Me fitimin e kontratës 10-vjeçare koncesionare për shërbimin e dializës nga Spitali Amerikan, rëndësia e këtij klienti për Montal rritet në mënyrë të ndjeshme. Një tjetër fakt gazmor është se Spitali Amerikan ofroi vlerën pothuajse të barabartë me fondin limit të tenderit si fituese faktike, rreth 5 mijë lekë (50 dollarë) më e vogël se sa fondi limit i caktuar për këtë shërbim nga “Albcontrol”. Procedura e prokurimit është fshirë, në kundërshtim me ligjin nga baza e të dhënave online e Agjencisë së Prokurimeve Publike.

Por edhe në prag të 2020-ës ky institucion ka hapur një tender të frikshëm 410 MILIONË LEKË PA TVSH, të cilin ia ka bërë dhuratë Allajbeut për festat e fundvitit, në kohën kur qeveria shqiptare u lutej të huajve për fonde për të prekurit nga tërmeti i 26 Nëntorit. Me paratë e Shtetit, Mina Kusta i ka paguar Spitalit Amerikan, si konkurrues i vetëm në tender, check up-et, analizat laboratorike dhe ndërhyrjet kirurgjikale për të gjithë punonjësit e tij, duke mos i konsideruar të besueshëm spitalet publike, të cilët i ofrojnë të gjitha këto shërbime falas.

Disa nga kriteret e fituesit të tenderit ishin:

-Operatori ekonomik duhet të ketë qendrën kardiologjike 24 orë/7, duhet të ketë urgjencë aktive 24 orë, laborator 24 orë dhe minimumi 2 ambulanca”

-18 “Departamente & Specialitete” që mund t’i ofrojë vetëm një spital i madh

-Dhe e fundit më e rëndësishmja, deri në kufijtë e qesharakes, kriteri ishte që kompania konkurruese duhej të ofronte shërbimin e HEMODIALIZËS. Koncesioni i ishte dhënë nga Shteti Shqiptar si ekskluzivitet vetëm Spitalit Amerikan.


Pse heshtin Institucionet që supozohet se luftojnë korrupsionin?

Për këtë garë nuk është nisur asnjë hetim nga SPAK, ndërsa KLSH ka bërë një sy qorr, edhe pse një institucion shtetëror shpërdoron ndër vite taksat e shqiptarëve për shërbime që mund t’i marrë nga shtetërori. Falje e parave të shqiptarëve në subjekte private që kalojën pa asnjë hetim, procedura tenderimesh publike që jepen me 100% të fondit limit sepse e kanë të siguruar që do jenë pikërisht ata që do mbushin xhepat.

MILIONAT ALLAJBEUT PASI OPEROI ANETA RAMËN

Mbase arsyeja e gostitjes së Allajbeut me tendera e koncesione është fakti se në janar të 2015-ës, Aneta Rama, e ëma e ndjerë e kryeministri Rama u operua në këtë spital, ku vetë kirurgu turk i Spitalit Amerikan njoftoi se gjithçka kishte shkuar me sukses. Menjëherë pas kësaj, Allajbeu fiton koncesionin e Hemodializës në bashkëpunim me kompaninë EVITAMajlinda Fetiut, vajzën e tij të xhaxhait, koncesion ky me vlerë 86 MIILION DOLLARË për DIA VITA, 15% në pronësi të Spitalit Amerikan dhe 85% në pronësi të EVITA-s kompani pa eksperiencë në kryerjen e hemodializës.

Por si e fitoi goca e xhajës së Allajbeut koncesionin pa asnjë eksperiencë në mjekësi?

Majlinda Fetiu, megjithëse pas asnjë eksperiencë të mëparshme në Shëndetësi mundi të fitonte koncesionin e Hemodializës 8.6 MILIARDË LEKË PA TVSH megjithëse dha ofertën e dytë më të lartë midis kompanive konkurruese. Sipas raporteve, kompania e saj EVITA u rrit shpejt nën qeverinë Rama, nga një kapital prej 736 euro në 221,735 mijë euro në vitin 2015. Administratore e EVITA, është Elona Saraçi, e cila ka mbaruar studimet për farmaceutikë, kjo ish-nëpunëse e Spitalit Amerikan, ku edhe kompania EVITA ka zyrat në katin e dytë të spitalit.

Në dokumente ishte përcaktuar në tabelë se “Eksperienca gjatë tre viteve të fundit” matej me numrin mesatar të pacientëve të shërbyer në tre vitet e fundit, që SPITALI AMERIKAN mundësoi 10 pikëshin e EVITËS në shpalljen fituese në koncesion pavarësisht ofertës së ofruar, pasi ka marrë pacientë nga QSUT për 3 vitet e fundit, procedurë që favorizon numrin e pacientëve dhe jo cilësinë e shërbimit të ofruar.

Elona Saraçi | Majlinda Fetiu

PPP-të në Shëndetësi deri në Maj të vitit 2020 i kanë kushtuar Shtetit Shqiptar rreth 100 MILIONË EURO plus 270 MILIONË EURO të tjera në vitet e ardhshme.

HETIMI I KLSH

“Nga auditimi në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) mbi koncesionin për shërbimin e hemodializës rezultoi se: ky shërbim ka filluar të implementohet në muajin qershor të vitit 2016. Për këtë koncesion, kanë vijuar pagesat për seanca të parealizuara, vlerë e cila deri në periudhën Prill 2019 shkon në vlerën rreth 231.800 mijë lekë (nga këto 54,424 mijë lekë me impakt në buxhetin e vitit 2018). Nga ana e MSHMS-së nuk rezultojnë të jenë marrë masa për amendim të kontratës koncesionare lidhur me këto raste që përbëjnë likuidim për punë të pakryer e cila vijon ende të paguhet nga buxheti i shtetit”, thuhet në raport.

Pra edhe nëse pacientët nuk e marrin shërbimin, Spitali Amerikan do të paguhet nga Buxheti i Shtetit me vendim gjyqësor. KLSH thotë se gjatë vitit 2018, Dia Vita ka marrë para për punë të pakryer. Allajbeu do të marrë gjatë vitit 2020 plot 688.581.000 lekë, ndërsa gjatë viteve 2021 dhe 2022 një vlerë monetare akoma më të madhe, në rritje.


4 viktima nga radha që shkaktohej për HEMODIALIZËN

Të shumta kanë qenë ankesat për shërbimin e Hemodializës të ofruar nga Spitali Amerikan. Meqenëse njihet si një biznes që anon nga të dyja kahet, të gjithë deputet e Rilindjes dhe opozitës marrin shërbime shëndetësore falas nga ky spital, gjë që ka bërë t’u mbyllë gojën me ngjitëse të zezë për paratë që fiton në paligjshmëri. 4 viktima janë shënuar nga shërbimi hemodializës, dhe në atë kohë Spitalit Amerikan rrezikoi t’i hiqej kontrata nga Fondi i Sigurimit te Kujdesit Shëndetësor, i cili nisi hetimin. Por kjo gjë nuk ndodhi dhe Allajbeut nuk i ikën nga duart miliardat. 4 viktima janë shënuar në Pavionin e Hemodializës në vitin 2016 në Spitalin Amerikan pas vënies së një zjarri me benzinë pacientëve nga njëri prej pacientët në dhomë i frustruar nga shërbimi. Nga hetimet dyshohej se shkak për ngjarjen ishte konflikti midis pacientëve për radhën për të marrë shërbimin e hemodializës dhe shtratin ku ata uleshin në sallë.


*Shënim I: Pjesët e nënvizuara në tekst me ngjyrë të kuqe, janë hiperlinke që të drejtojnë në faqe të tjera, informacione shtesë, shpjeguese në lidhje me lajmin*

© 2020 JOQ ALBANIA Të gjitha të drejtat e rezervuara