Besoj të gjithëve ju kujtohet Agim Kajmaku, ish-kryebashkiaku i Vorës i cili mori këtë post në zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Vetëm pak kohë më pas, Kajmaku u denoncua se kishte fshehur informacionet në lidhje me dënimin e tij në shtetin fqinj Greqi për falsifikim kartëmonedhash. Këtë fakt ai nuk e kishte pasqyruar në formularin e dekriminalizimit.
Kajmaku në fillim e mohoi këtë fakt, por më pas ishte prokuroria e Tiranës e cila e vërtetoi nëpërmjet komunikimit me autoritete greke. Në këtë mënyrë rezultoi se gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut ishin të njëjta me ato të një personi të njohur me emrin Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi, një fakt ky i padeklaruar nga ana e Kajmakut kur kandidoi për Partinë Socialiste në Vorë dhe më pas u shpall kryebashkiak.
Kajmaku gjithashtu u shpall edhe në kërkim nga policia me akuzën e falsifikimit të formularit të vetdeklarimit si dhe ushtrimin e kompetencave tej afatit të mandatit. Mirëpo përtej këtyre fakteve, kompania e Agim Kajmakut e cila sot me letra drejtohet nga gruaja e tij Merita Kajmaku, vazhdon të "kullufisë" tendera në vlera të konsiderueshme.
Rasti më i fundit është ai i pemëve dekorative i cili bëri bujë vetëm pak kohë më parë në Durrës. Rezultonte se Bashkia Durrës kishte organizuar një tender me numër reference REF-69597-08-25-2020. Ky tender kishte për objekt “Blerje pemë dekorative”.
Shumë qytetarë ishin të paqartë përse duheshin shpenzuar gjithë këto para për pemë dekorative në një kohë që qyteti ka mjaft probleme duke filluar që nga dëmet e tërmetit, përballimi i COVID-19, apo gjendja ekonomike. E megjithatë duket se kjo nuk e ka stepur aspak Bashkinë Durrës dhe kryetaren “de facto” të saj, Emiriana Sako, që të shpallë fitues për këtë tender pikërisht kompaninë e Agim Kajmakut. Më konkretisht bëhet fjalë për firmën A.M.E 2020 (ish KAJMAKU) e cila ka ofruar vlerën 8,200,000 lekë t ë reja pa TVSH ose rreth 100 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Jo vetëm kaq por rezulton se në tender nuk ka marrë pjesë asnjë kompani tjetër përveç asaj të Kajmakut, duke e kthyer “de facto” në një tender pa garë. Gjithashtu edhe vlera e kompanisë fituese, është thuajse e njëjtë me fondin limit të tenderit, përkatësisht gati 98.4%. Nga të gjitha këto të dhëna krijohet dyshimi i fortë se një pjesë e madhe e këtyre parave nuk do të përfundojnë askund tjetër veçse në xhepat e vetë Agim Kajmakut. Rilindje, jo shaka!