JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Leku derdhet lumë/ Salillari dhe i arrestuari për mashtrim Paqsor Buzi, fitojnë tenderin 2,4 miliardë
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 13/10/2020 21:21

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

I keni parë këto ditë me shi, ku si pasojë e paaftësisë menaxhuese të të gjithë kryetarëve të bashkive, shumë qytete në vend janë shndërruar në pishina publike? E keni parë se si rrjedh uji si lum thuajse në çdo rrugë të qyteteve shqiptare? E pra, imagjinoni tani sikur këto lumenj të jenë plot me para. E imagjinuat? Shumë mirë bëtë, sepse tani duhet të mësoni se këto para nuk janë për ju por për oligarkët dhe miqtë e qeverisë, ata të cilët mjelin me ç’të mundin këtë lopë të madhe të quajtuar shtet.

E me sa duket, dy nga mjelësit më të mirë të lumenjve të parave që dalin nga ky shtet, janë Pëllumb Salillari dhe Paqsor Buzi. I pari rezulton se me kompaninë e tij “SALILLARI” SHPK ka fituar në vetëm 8 vitet e fundit tendera që kapin një vlerë prej rreth 86 milionë euro. Kjo kompani siç dihet prej kohësh, hyn në të preferuarit e Rilindjes duke “kullufitur” një numër mjaft të madh tenderash për punët publike.

I dyti, pronar i kompanisë “G. P. G.”, është gjithashtu njëri prej kontraktorëve më të mëdhenj të së ashtuquajturës rilindje urbane, ku në 8 vitet e fundit rezulton se ka fituar tendera në një vlerë rreth 93 milionë euro, pra akoma më tepër se vetë Salillari. Paqsor Buzi gjithashtu është arrestuar në shtator të 2019 bashkë me një grup biznesmenësh të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në një skemë mashtrimi ndaj shtetit nëpërmjet tatimit mbi vlerën e shtuar. Akuzat ishin për “krijim të skemave mashtruese me TVSH”, “falsifikimit” dhe “fshehjes së të ardhurave”. Sipas njoftimeve të policisë së asaj kohe, dëmi i shkaktuar prej tyre ndaj shtetit kapte shifrat e rreth 26 milionë eurove.

Të dy këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin rezulton se janë shpallur fitues të një tenderi të organizuar nga Bashkia e Urës Vajgurore. Përkatësisht bëhet fjalë për tenderin me objekt «Rrjeti jashtëm dhe brendshëm, njësia administrative Cukalat, Bashkia Ura Vajgurore», që mban numrin e referencës REF-68799-08-14-2020. Por le të shohim detajet.

Rezulton se oferta e këtij bashkimi operatorësh ekonomikë, pra “SALILLARI” dhe “GPG Company” është në vlerën 200,412,476 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2,4 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Mirëpo kjo vlerë nga ana e saj rezulton të jetë thuajse e njëjtë me fondin limit të këtij tenderi, vlera e së cilit është 201,420,870 lekë të reja pa TVSH. E thënë më thjeshtë, vlera e ofruar nga “SALILLARI” dhe “GPG Company” është sa 99,5% e fondit limit! Siç dihet ky është një ndër treguesit se fituesi i tenderit në fjalë ka qenë i paracaktuar para garës.

Nga ana tjeter vihet re edhe një tjetër fakt mjaft i dyshimtë. Në tender kanë marrë pjesë 3 konkurrentë të cilët për habi thuajse kanë ofruar vlera mjaft të afërta fituesin, madje thuajse të njëjtën vlerë. Kështu njëri nga pjesëmarrësit, përkatësisht “BAMI SHPK” ka ofruar vlerën 201,396,066 lekë të reja pa TVSH, ndërsa firma tjetër pjesëmarrëse, përkatësisht “ED KONSTRUKSION” ka ofruar vlerën 201,027,592 lekë të reja pa TVSH. Ky është një tjetër fakt që ngjall mjaft dyshime se tenderi ka qenë i manipuluar dhe se këto kompani kanë marrë pjesë sa për numër. Këtë e përforëcon edhe fakti se pas zgjedhjes së fituesit nuk ka patur asnjë ankesë nga pjesëmarrësit e tjërë. E pse të mos jetë kështu në fund të fundit, për aq kohë sa ky vend nuk ka njeri t’i dalë për zot, por vetëm persona që bëjnë garë se kush e mjel më shumë?