“Kap ça t’kapësh”, ka thënë “shefi i madh” i Rilindjes. Duke patuar parasysh kohën ku jetojmë, ku çdo person në administratë kërkon të përfitojë sa më tepër duke mjelë lopën e quajtur shtet, duket se rilindasit janë duke e ndjekur me pasion këtë shprehjë të shefit të tyre. Janë të shumta rastet kur eksponentë të Rilindjes i kanë dhënë tender pjesëtarëve të “së njëjtës familje” rilindase. I tillë është edhe rasti që po ju paraqesim më poshtë.
Bëhet fjalë për një tender të realizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e drejtuar nga ministri Bledi Çuçi. Tenderi mban numrin e referencës REF-57526-05-06-2020 dhe ka për objekt Rehabilitim objektesh dhe mbrojtje lumore, i ndare me lote”, “Loti 4 – “Rehabilitim i veprave hidrike Rajoni Shqiperi e Mesme (qarku Tiranë – Elbasan – Durrës – Berat)” me fond limit 238.020.303 lekë të reja pa TVSH. Në këtë procedurë prokurimi kanë marrë pjesë katër bashkime operatorësh ekonomikë, nga të cilët fitues është shpallur bashkimi i operatrorëve ekonomikë “Sterkaj” Sh.P.K & “Ergi” Sh.P.K & “Bajrami N” Sh.P.K & “Al-Mexwood” Sh.P.K & “Meteo” Sh.P.K & “Euro-Alb” Sh.P.K.
Kompania “Sterkaj” Sh.P.K rezulton në fakt të drejtohet nga një kushëri i Paulin Sterkaj, mbiemrin e të cilëve mban edhe vetë kompania. Çuditërisht 3 bashkimet e tjera të operatorëve nuk ofruan asnjë vlerë apo ofruan ofertë ekonomike të pavlefshme. Një fakt mjaft i çuditshëm ky, pasi nuk ka asnjë logjikë që të marrësh pjesë në një garë dhe të mos paraqesësh ofertë. Ka dyshime të forta se fituesi është paracaktuar me kohë dhe se tre bashkimet e tjera të operatorëve kanë marrë pjesë sa për numër. Nga ana tjetër vlera e ofruar nga fituesi është sa 92,53% e fondit limit, duke hedhur përsëri dyshime se një pjesë e parave të akorduara për këtë tender do të përfundojnë në xhepat e organizatorëve. Ka lezet kur tenderat shpërndahen “brenda familjes” apo jo?