Francesco Totti prej disa kohësh është futur në botën e menaxhimit pas largimit si drejtues i Romës. Ikona e verdhekuqve ka hapur një kompani menaxhimi dhe synon t’i marrë nën kontratë futbollistët e rinj e të talentuar.
Njëri prej tyre është edhe talenti shqiptar, Luis Hasa, i cili aktivizohet te moshat e Juventusit dhe konsiderohet si një nga lojtarët më të talentuar te të rinjtë e bardhezinjve.
Ai është kapiten i ekipet të 16-vjeçarëve dhe shquhet për cilësitë teknike. Adoleshenti luan në qendër të mesfushës dhe si sulmues i fshehur. Këtë sezon ia ka dalë të shënojë 6 gola në 16 ndeshje.
Cilësitë e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe nga menaxherë e skautë të ndryshëm. Francesco Totti është ai që e ka bindur shqiptarin për të nënshkruar me kompaninë e tij, që do e menaxhojë në vazhdim.