Të tjera dëshmi janë bërë publike nga dhuna barbare e ushtruar nga policia e Sandër Lleshit gjatë dhe pas aksionit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Inxhinieri Malti Grabovaj ka treguar pasojat që i ka shkaktuar dhunimi nga policia një javë më parë.
Ai deklaroi në Abc News se është dhunuar në mënyrë brutale nga policia, të cilët e kanë qëlluar me grushte, shkelma e shpulla.
Grabovaj tha se pas një vizite mjekësore rezultoi se ka çarje të daulles së veshit, ndërsa shtoi se pas disa muajsh trajtim mjekësor mund t'i duhet një ndërhyrje kirurgjikale.
Inxhinieri u shpreh i vendosur se do ta ndjekë penalisht çështjen, ndërsa e cilësoi punonjësin e policisë që e ka goditur si "hasëm".
Ai u shpreh:
Kur po prishej Eksperimentali, turma afrohet te kordoni i policisë, Ato mobilizohen dhe unë u gjeta i rrethuar nga turma. Unë gjendem aty dhe u hap kordoni i forcave të Rendit. Pas tyre rrinin forcat shqiponja. Unë jam goditur me shqelma, grushte dhe shpulla, katër ose pesë efektivë për të më neutralizuar. Jam goditur në mënyrë brutale. Një prej efektivëve më shante rëndë nga familja dhe më thoshte “je kundra Teatrit ti?!” Dhe vetëm më ndërhyrjen e kolegëve më la. Më pas jam prangosur. Pas kordonit të policisë jam rrëzuar aty, më pas në makinën e policisë më kanë dhūnuar psikologjikisht. Nuk ka pasur dhūnë fizike. Më bënte përshtypje reagimi i policëve që më pyesnin çfarë do atje, më thoni çfarë të duhet ty të dalësh aty, ti ke një profesion të mirë. Jam shoqëruar në rajonin numër 1 dhe më kanë mbajtur aty për 9 orë. Unë kam qenë vetëm në shesh dhe i pashoqëruar me askënd. Mbaj mend kur isha aty shikoja një person në distancë që merrte më shumë goditje. Jam njohur me të në komisariat. Mjeku më ka thënë se kam një çarje të daulles së veshit, ulje të dëgjimit në veshin e djathtë. Kam kontaktuar me një avokat dhe do bëj një procedim penal për Policinë e Shtetit dhe do kërkoj një dëmshpërblim. Mjekët më kanë thënë se mund të kem nevojë për një ndërhyrje pas dy muajsh. Nëse veshi im reagon keq mund të shkoj deri në humbje të shqisës. Duhet të kem shumë kujdes nga zhurma, kur bëj dush dhe nevojat e mia personale. Jam me antibiotikë. Pres raportin mjeko-ligjor për t’ia paraqitur avokatit të Popullit. Kam fjetur këto shtatë ditë me inatin për ta gjetur këtë person dhe unë e konsideroj hasmin tim. Por ndjesitë e bukura që kam marrë nga kjo festë unë e them se e kam falur personalisht, por jo ligjërisht.