JOQ Albania
Home

Për pak do bënte uljen, rrëzohet avioni me mbi 100 persona në bord
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 22/05/2020 14:10

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një aeroplan i Pakistan International Airlines është rrëzuar në Karaçi në një fluturim nga Lahore.

Avioni PK8303, i cili po transportonte rreth 100 pasagjerë dhe tetë persona ekuipazh, po udhëtonte nga Lahore për në Aeroportin Ndërkombëtar Jinnah, një nga aeroportet më të ngarkuara të Pakistanit.

Pmjet tregojnë tym, njerëz të mbledhur dhe ambulanca në zonën e banimit të Model Colony ku edhe u rrëzua avioni.

Shërbimet e urgjencës kanë mbërritur në vendin e aksidentit. Deri më tani nuk ka asnjë konfirmim për viktima, por dyshohet se shumë persona mund të kenë humbur jetën nga përplasja.

Avioni, ishte gati të ulej kur u rrëzua pranë Model Colony, një lagje në Karaçi rreth 3.2 km në veri-lindje të Aeroportit Ndërkombëtar Jinnah.

Shkaku i përplasjes nuk është konfirmuar ende. Zëvendës shefi ekzekutiv i PIA-s, Zëvendës-Marshalli Arshad Malik tha që piloti i kishte thënë kontrollit të trafikut se avioni kishte pësuar "probleme teknike".

Kryeministri i Pakistanit Imran Khan tha se ai ishte "i tronditur dhe i pikëlluar" nga ngjarja e rëndë duke premtuar një hetim të menjëhershëm lidhur me të.

Burimi: bbc Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania