JOQ Albania
Home

Skandali/ Polici i Lleshit s’pyet për rregulla, futet në kundravajtje tek “Pallati me Shigjeta”
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22/05/2020 0:03

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Pak muaj më parë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi, bëri mjaft bujë me një deklaratë nga ato "perlat" e rilindasve, ku teksa fliste për aksidentet rrugore në vend, theksoi se për këtë e kanë fajin autoshkollat, duke "kërcënuar" se ato do të mbajnë përgjigjësi ndaj veprimeve të nxënësve të tyre.

Mirëpo, Lleshi duhet të jetë në dijeni se nuk janë të pakta rastet kur makinat e policisë, ose të drejtuar nga policë, gjenden të parkuara në vijat e bardha, futen kundravajtje, apo lëvizin "siç i do kokrra e qejfit" në korsi të dedikuara vetëm për lëvizjen e autobusëve ose biçikletave.

Së fundmi, një tjetër rast që vë në pikëpyetje faktin se ku dhe si e kanë marrë patentën policët e Lleshit, ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania.

Siç shihet dhe në fotot e mëposhtme, një punonjës policie është futur në kundravajtje në afërsi të kryqëzimin te "Pallatit me Shigjeta" në Tiranë, teksa drejton automjetin e tij privat (makina me ngjyrë të kuqe).

Fotot e mëposhtme përbëjnë një skandal, pasi nuk është hera e parë që policët e Lleshit kapen "gafil" duke thyer rregullat e qarkullimit rrugor.

Ky është një rast i dokumentuar rastësisht nga një qytetar me foto, por sa raste të tjera kanë shkelur rregullat punonjësit e policisë, të cilat nuk janë bërë kurrë publike? Kush ia ka dhënë patentat policisë së Lleshit? A duhet që autoshkolla e tyre të mbajë përgjegjësi? Apo duhet Lleshi të mbajë përgjegjësi për efektivët e policisë që i ka firmosur në detyrë?

Pyetjeve të mësipërme mund t'i përgjigjet vetëm Lleshi, i cili ka vënë dorën në zjarr për policët e tij dhe ka thënë se në çdo veprim të tyre do shohim fytyrën e tij.