JOQ Albania
Home

Dalin pamjet e frikshme nga aksidenti në Vorë, polici fluturon në ajër nga përplasja
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04/05/2020 22:39

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një aksident i rëndë u regjistrua mesditën e sotme në autostradën Tiranë-Durrës, ku mbeti i plagosur një punonjës policie, i cili ishte në krye të detyrës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00, në hyrje të Vorës, ku një automjet tip BMW X5 që drejtohej nga 20-vjeçari M.B, përplasi punonjësin e policisë, i cili po kryente verifikimet dhe veprimet policore ndaj drejtuesit të një automjeti tjetër.

JOQ Albania ka siguruar edhe videon e 'frikshme' të aksidentit, ku shihet se si BMW-ja përplas policin, duke e hedhur në ajër.

Fatmirësisht, punonjësi i policisë ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve në spital.

Siç shihet në video, mjeti i drejtuar nga 20-vjeçari ka humbur kontrollin, pasi një automjet tjetër tenton ta parakalojë dhe ka përplasur policin.

Të dy drejtuesit e automjeteve të përfshirë në aksident janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Vorë.

Njoftimi i policisë:

Më datë 04.05.2020, rreth orës 13:00, në rrugën interurbane kryesore Durrës-Tiranë, në hyrje të Vorës, automjeti i drejtuar nga shtetasi me iniciale M. B ., 20 vjeç, ka humbur kontrollin si rezultat i shpejtësisë dhe për pasojë ka goditur automjetin e ndaluar jashtë rruge tip BMW X5, si dhe punonjësin e Policisë Rrugore me iniciale R. Q., i cili në momentin e përplasjes po kryente verifikimet dhe veprimet policore ndaj drejtuesit të automjetit tip BMW X5 në krahun e shoferit të këtij mjeti, i cili ishte konstatuar duke qarkulluar pa vendosur targat në vendin e caktuar.

Punonjësi i Policisë është dërguar menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Të dy drejtuesit e mjeteve të përfshirë në aksident janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Vorë, për veprime të tjera hetimore.

Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.