JOQ Albania
Home

Spitali i Elbasanit “bën hi” 270 milionë lekë për ruajtje me roje
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02/05/2020 23:26

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

U bë deti kos plako! Pse vetëm në Tiranë do shpërdorohen lekët tona? Normalisht që jo. Pse çfarë ka më pak Elbasani për shembull?

Sipas një tenderi me numër reference REF-56894-04-27-2020 del se Qendra Spitalore "XHAFERR KONGOLI" Elbasan ka nevojë për t'u ruajtur me roje. Deri këtu çdo gjë është në rregull, por në momentin që këto roje do të kushtojnë plot 270 milionë lekë të vjetra me TVSH për një vit, diçka nuk shkon.

Por le të analizojmë të dhënat. Duke parë këto shifra dhe duke patur parasysh se rroga mesatare e një roje nuk shkon më tepër se 350 mijë lekë të vjetra në muaj, me një llogari fare të thjeshtë rezulton se që të harxhohen të gjitha këto 270 milionë lekë, numri i rojeve për këtë spital duhet të jetë rreth 64 persona. Por nëse i referohemi specifikimeve të këtij tenderi rezulton se janë vetëm 7 objekte që do të ruhen me nga 3 turne, pra në total vetëm 21 roje.

Kështu nëse bëjmë përsëri një llogari të thjeshtë del se për 21 roje me pagë 350 mijë lekë në muaj, do të duhen të shpenzohen për një vit rreth 88 milionë lekë të vjetra. Pra nga 270 milionë lekë, vetëm 88 milionë lekë të vjetra do të nevojiteshin afërsisht për të ruajtur 7 objektet e Qendrës Spitalore “XHAFERR KONGOLI” në Elbasan.

Po 182 milionë lekë të vjetra ku shkuan? Nga tenderi shikohet se përveç shërbimit të rojeve nevojitet edhe sigurimi me sistem alarmi për 5 godina. Edhe nëse supozojmë se e gjithë diferenca e mbetur prej 182 milionë lekësh do të shkonte për sistemet e alarmit për këto 5 godina, del se për çdo godinë duhen paguar rreth 36 milionë lekë të vjetra për sistemin e alarmit.

Absurde apo jo?