JOQ Albania
Home

“Lajthit” Posta Shqiptare, 30 milion lekë për të dërguar SMS
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28/04/2020 22:24

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Duhet pranuar se është argëtim më vete të shikosh se çfarë mënyrash qesharake zgjedhin insitucionet shtetërore për të vjedhur paratë e popullit, nëpërmjet skemave nga më të pabesueshmet.

I tillë është rasti i Postës Shqiptare, e cila në një mënyrë absurde ka vendosur të harxhojë gati 30 milionë lekë me TVSH për të dërguar SMS tek klientët. Çfarë është kjo, do të thoni ju? SMS për çfarë? Me sa duket zotërinjtë kanë vendosur të bëjnë qokën e rradhës, por duke përdorur një menyrë që vjen erë, dhe shumë madje.

Kështu, objekti i tenderit në fjalë është thjesht “Blerje SMS”. Nëse sheh specifikat teknike, me habi vëren se gjithë këto para do të shpenzohen për dërgim SMS për qëllime marketing. Por marketing për çfarë? Dhe drejt kujt? Ku do ta gjejë Posta Shqiptare databasën e numrave të cilëve do t’u dërgojë SMS?

Një pikë tjetër thotë se gjithashtu këto SMS do t’u dërgohen klientëve për t’i njoftuar se u ka mbërritur një pako. Pyetja e logjikshme edhe në këtë rast është se ku do ta dijë Posta Shqiptare se çfarë numri telefonik disponon një marrës i rastësishëm në Shqipëri të cilit i mbërrin një pako?

Jo vetëm kaq, por sipas specifikimeve teknike shihet se Posta Shqiptare do të dërgojë SMS jo vetëm brenda territorit të vendit, por edhe në SHBA, BE, Kanada, Britani e Madhe etj. Edhe këtu vlen e njëjta pyetje: Kujt do t’ia dërgojë SMS-të ky institucion në këto shtete dhe përse?

Pa përmendur këtu faktin që tashmë me aplikacionet e pafundme në telefonat që disponon gjithsecili, SMS-të mund të dërgohen falas pa kosto fare kudo në botë. Sipas dokumentave publike, mësohet se këto 30 milionë lekë do t’i marrë kompania IMAGE & COMMUNICATIONS DEVELOPMENT SHPK me seli në Tiranë. Ka lezet apo jo?