JOQ Albania
Home

ALBCONTROL harxhon 283 milionë lekë për të dërguar e-maile
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 24/04/2020 23:23

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Tenderat në Republikën e Shqipërisë janë sa të çuditshëm aq edhe qesharakë. Madje ndonjëherë niveli i tyre është aq amator sa të vjen të qeshësh. I tillë është për shembull rasti i ALBCONTROL SH.A ( ish A.N.T.A), institucion i cili ndodhet pranë aeroportit “Nënë Tereza”.

ALBCONTROL menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore Shqiptare dhe është shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror, pronë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes. Kjo shoqëri aksionare, ka publikuar tenderin me referencë REF-50360-02-13-2020 me objekt “Kontratë mirëmbajtje dhe Blerje P/n e pajisjes se navigimit DME, Prodhim Indra”.

Por nëse hulumtojmë më tej me specifikimet e tenderit shohim se gjithë këto para do të shkojnë realisht për support teknik që përfshin dërgim e-mailesh dhe telefonatash. E thënë më thjesht, nëse një pajisjet jep ndonjë problem, ALBCONTROL mund të kërkojë mbështetje teknike dhe këshilla duke dërguar e-mail apo telefonuar kompaninë prodhuese të pajisjes.

Të gjitha këto shërbime mirëmbajtjeje do të kërkohen vetëm nëse do të jetë e nevojshme, pra jo gjithmonë por vetëm në rastet e paraqitjes së ndonjë problemi apo defekti të mundshëm. Gjithashtu gjithmonë nëse ndodh ndonjë problem, mund të kërkohet edhe zëvendësimi i ndonjë pjese të pajisjeve që pëson defekt.

Ditën e sotme është publikuar edhe fituesi i cili çuditërisht e ka fituar tenderin duke ofruar një vlerë më të lartë sesa fondi limit. Pra, nëse fondi limit ka qenë 200 milionë lekë të vjetra pa TVSH, fituesi ka ofruar 36 milionë lekë të vjetra më tepër, përkatësisht 236 milionë lekë të vjetra pa TVSH dhe përsëri ka fituar. Sipas dokumentave të tenderit, ky fitues është R&T SHPK me seli në një pallat banimi në Tranë.