JOQ Albania
Home

COVID-19 zbraz rrugët, shteti harxhon 8 miliard lekë për karburant
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 22/04/2020 0:57

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

E keni parasysh COVID-19? Sigurisht që e keni. Prej tij shumë prej nesh prej mëse 1 muaji janë mbyllur në shtëpi dhe si rrjedhojë lëvizja me automjet është mjaft e kufizuar, siç e dimë të gjithë. Nga ana tjetër çmimi i naftës po ulet gjithmonë e më tepër në bursat ndërkombëtare, ku vetëm dje u njoftua se çmimi i naftës bruto arriti nivele negative për herë të parë në histori.

Por ky fakt duket se nuk e ka penguar Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara që të planifikojë harxhimin e plot 7 miliard e 860 milionë lekë të vjetra me TVSH për blerje karburanti.

Kjo procedurë tenderimi është e ndarë në 7 lote me objekt “Blerje Karburanti, përveç Jet A1”. Vihet re se një pjesë e konsiderueshme, do të përdoret për karburant automjetesh, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për blerje lëndë djegëse e lëngët për përdorim termik civil dhe industrial.

Kryesisht institucionet që do të përfitojnë janë ato shëndetësore si Instituti i Shëndetit Publik, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, si dhe disa spitale në vend. Një pjesë do të shkojë edhe për Komandën e Forcës Detare, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve etj.

Por përshtypje të bën fakti se Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjeksore e cila normalisht do të justifikonte deri diku shpenzimet për karburant pasi përfshin ambulancat që transportojnë të sëmurët, do të marrë vetëm 6% të fondit. Po, po, e lexuat mirë, vetëm 6% ose rreth 476 milionë lekë të vjetra me TVSH do të shkojnë për transportin e të sëmurëve në spital.

Në një kohë kur levizja e automjeteve është kufizuar në maksimum si dhe në momentin që sipas parashikimeve, edhe për disa kohë nuk do të lejohet lëvizja normale e mjeteve, duket habi se ku do të shkojnë gjithë ato para për karburant, aq më tepër që çmimet vazhdojnë të ulen.