E keni parasysh Erion Veliaj-n? Atë tipin që del 7 herë në ditë në TV? E kemi fjalën në TV, se ne rrjetet sociale del shumë më tepër se aq, kuptohet. E pra, në këto dalje kaq të shpejta të tij në media, dy janë aktivitetet që zënë peshën më të madhe. Mbjellja e pemëve dhe shpërndarja e ndihmave.
Por le të ndalemi tek aktiviteti i mbjelljes së pemëve. Të gjithë e kemi parë se ky zotëri gjatë fushatës së tij elektorale për kryetar të Bashkisë Tiranë deklaroi se nuk do të jepte leje ndërtimi. Kishte disa naivë që ndoshta edhe e besuan, por që sigurisht pas pak kohësh u vërtetua qartë se lejet e ndërtimit jo vetëm që u dhanë, por madje me ritme të shpejta.
Për ta përforcuar idenë, Veliaj doli në media si njeriu që mbillte vetëm pemë. Aq shpesh dilte në TV duke bërë këtë sa me sa duket dhe vetë e kuptoi se nuk e besonte më njeri, duke bërë që dalëngadalë t’i evitojë shfaqjet të tilla propagandistike.
Që kjo ishte vetëm një propagandë e mirëfilltë, mjafton ilustrimi në vijim. Kjo fotografi është bërë disa ditë më parë pranë një kompleksi të madh rezidencial në Tiranë, në të cilin ende vazhdon ndërtimi i kullave. Ky kompleks, i njohur si Kompleksi Delijorgji, ndodhet në Bulevardin “Bajram Curri” pranë zonës së njohur si Pallati me Shigjeta. Territori ku po ndertohet është mjaft i madh dhe përfshin një numër të madh pallatesh.
Por siç duket qartë nga foto, buze rrugës dhe jashtë rrethimit të kompleksit, kishte me dhjetra pemë që kënaqnin syrin e cilitdo kalimtari. Por me sa duket një ditë të bukur, Delijorgji vendosi se duheshin prerë, ndoshta sepse ngjyra jeshile e pemëve bënte kontrast me ngjyrën e tullave të kuqërremta të pallateve që ndërton.
Kujtojmë se emri i Delijorgjit u lakua shumë gjatë shpërthimit të Gërdecit në 15 mars 2008 ku humbën jetën të paktën 26 persona, mes tyre gra dhe fëmijë. Siç dihet, ai ishte edhe administrator i kompanisë “Albademil” që merrej me demontimin e lëndëve plasëse. Gjykata e shpalli fajtor Delijorgjin për akuzën e “Shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” duke e dënuar me 10 vjet burg.
Por pavarësisht kësaj, duket se është kthyer përsëri aq “i fuqishëm” sa mund të presë edhe pemët publike që ndodhen jashtë territorit të tij. Këtë sigurisht nuk mund ta bëjë dikush që nuk ka lidhje me Erion Veliajn, i cili nuk përton të dërgojë policët e bashkisë të tërheqin zvarrë të moshuarit që shesin domate. Por që me sa duket mbyll njërin sy dhe nuk i bën përshtypje që dikush i ka prerë pemët që me aq shumë propagandë ka mbjellë.