JOQ Albania
Home

Leku letër në spitalin e Vlorës, 922 milionë për larje dyshemeje dhe marrje pluhurash
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 17/04/2020 21:45

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Bukur ë? Lum si firma që do ta fitojë. Po, po. Janë plot 76,876,340.6 lekë të reja pa TVSH ose 92,251,608 lekë të reja me TVSH që do të shpenzohen nga taksat tona për shërbimin e pastrimit të ambienteve të brendshme dhe të jashtme të Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë.

E thotë qartësisht procedura e prokurimit me referencë REF-55708-04-06-2020. Këto para do të shpenzohen për një periudhë 4 vjeçare.

Natyrshëm duke parë shifrën stratosferike që do të përdoret, dikush mund të mendojë se pastrimi do të bëhet me robotë të teknologjisë më të lartë dhe se larja e dyshemeve do të bëhet me ar. Epo, jo tamam.

Në fakt këto 922 milionë lekë të vjetra do të shpezohen për pastrim të sipërfaqes së dyshemeve, marrjen e pluhurave mbi mobiljet dhe mbi çdo paisje tjetër që ndodhet brenda sipërfaqes së dhomave, zbrazjen e qeseve të mbeturinave, larjen e xhamave, dritareve, dyerve, etj në ambientet e këtij spitali, si dhe për fshirje e larje rrugicash brenda oborrit të territorit të spitalit. Pastrimet do ti bëjnë sanitarët. Ndërsa dezinfektimi i dyshemeve, qosheve dhe tualeteve do bëhet me lëndë me bazë klori 5% (hipoklorit).

Prisni, prisni, se ka akoma. Ky është një prokurim i rishpallur. Pra më parë vlera e ofruar për pastrim ka qenë “vetëm” 192 milionë lekë të vjetra pa TVSH ose rreth 230 milionë lekë të vjetra me TVSH, pra plot 4 herë më lirë! Kjo për vetë faktin se më parë afati ka qenë vetëm 1 vit.

Por me sa duket, dikujt duhet t’i jetë dukur një shifër mjaft e vogël për të mbushur xhapat dhe kjo procedurë prokurimi që ka patur numër reference REF-51452-02-24-2020 është auluar, duke e riformuluar shifrën në plot 922 milionë lekë, tashmë me numrin e ri të references REF-55708-04-06-2020, për 4 vjet.

Pra vetëm një kompani do të marrë gjithë këto para dhe për plot 4 vjet askush nuk do të mund ta konkurojë. Me mjaft interes pritet se cila kompani do ta fitojë. Le ta shohim. Urojmë që të paktën një vlerë prej këtyre parave të përdoret vërtetë për të pastruar dhe higjenizuar spitalin.