JOQ Albania
Home

Të varfërit në Bulqizë mbledhin kanaçe për mbijetesë, s’i ndalon Koronavirusi për bukën e gojës
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 15/03/2020 17:29

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Të shumta kanë qenë thirrjet e kryeministrit, Edi Rama për shqiptarët që të qëndrojnë në shtëpi në këto momente kur vendi është prekur nga Covid-19.

Pavarësisht dëshirës shumë shqiptarë e kanë të pamundur izolimin në shtëpitë e tyre sepse janë të detyruar të punojnë pavarësisht situatës.

Një denoncim në median online është bërë nga ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi e cila ka sjellë historinë e një qytetari, që mbledh kanaçe në Bulqizë.

Ish-deputetja deklaron se është urgjente dhe e domosdoshme që qeveria të ofrojë ndihmë sociale për këta njerëz që nuk kanë thuajse asnjë burim të ardhurash dhe janë të detyruar që e në ditë të tilla të dalin jashtë banesave duke u rrezikuar seriozisht të preken prej virusit.

Dhurata Çupi:

Sabiti jeton në Bulqizë duke mbledhur kanaçe tek mbetjet ushqimore në Qafë Buall. Ai e ka të pamundur, në kuptimin e plotë të fjalës, të qendrojë në karantinë, sepse i duhet të zgjedhë mes mundësisë për të mos u infektuar dhe urisë së sigurtë të fëmijëve. Dita kur ai nuk do të dalë të mbledhë kanaçe për të fituar 3 mijë lekë të vjetra në ditë, do të jetë dita e urisë për familjen. Fatkeqësisht, familjet si ajo e Sabitit, janë me mijëra në Shqipëri. Ndryshe nga sa predikon kryeministri, ata as nuk bëjnë dot joga, as nuk kanë luksin të ushqehen dot 2 herë në ditë. Duke mos marrë asnjë masë që i ndihmon ata, qeveria i ka lënë më të varfrit të përballen vetëm me 2 alternativa: me koronavirusin ose me urinë.