JOQ Albania
Home

Veliajn se ndal as koronavirusi, 600 mln lekë për pemë dekorative
Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 11/03/2020 16:36

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Që kur ka ardhur në krye të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka nisur një fushatë për të ashtuquajturin “Pylli Orbital” i Tiranës. Madje për të janë bërë aq shumë kronika televizive me njerëz të famshëm që kontribuojnë në mbjelljen e një pemë simbolike.

Shumë herë është thënë që këto pemë janë dhuruar nga njerëz të famshëm apo nga kompani të mëdha fitimprurëse, por që asnjëherë nuk është bërë transparencë më të ardhurat që këto pemë janë blerë.

Por tenderat e publikuar së fundmi nga dy institucione vartëse të Bashkisë së Tiranës, të bëjnë të mendosh që njerëzit e famshëm nga fusha të ndryshme janë përdorur thjesht për propagandë nga Veliaj.

Përveç kësaj një tjetër gjë që bie në sy është fakti sepse dy institucione vartëse të Bashkisë së Tiranës hapin tender me të njëjtin objekt.

Dy institucionet janë “Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit” dhe “ Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe e Gjelbërimit”. Të dy tenderat e shpallur janë me objekt “Blerje drurë dhe shkurre dekorative", dhe kanë një shifër totale prej 620 milionë lekësh

Tenderi i hapur nga APR-ja është shpallur me 3 mars dhe ka një fond limit prej 265 milionë lekesh dhe kompania fituese do ta furnizojë këtë institucion për 1 vit me pemët që janë përcaktuar në specifikimet teknike të tenderit.

Ndërsa tenderi i hapur nga DPPGJ-ja është shpallur me 4 mars një ditë pas atij të APR-së. Ky tender ka një fond limit prej 350 milionë lekësh dhe kompania fituese do ta furnizojë këtë institucion për dy vite që nga lidhja e kontratës sipas pemëve të kërkuara nga specifikimet teknike.

Edhe llojet e pemëve dhe drurëve të kërkuara nga këto dy instituicone janë pothuajse të njëjta, çka të bën të mendosh sepse këto dy institucione bëjnë dy tendera, kur fare mirë mund ta bënte njëra prej tyre dhe më pas mund të bëntë shpërndarjen e pemëve tek institucioni tjetër.