JOQ Albania
Home

Redi Molla i UKT i jep 175 mln lekë Fushës
Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 06/03/2020 17:41

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Kompania “Fusha Shpk” vazhdon të jetë ndër më të preferuarat e Bashkisë së Tiranës për kryerjen e punimeve të ndryshme. Miqësia midis Erion Veliajt dhe Shkëlqim Fushën është një ndër më të fortat dhe këtë e tregojnë edhe tenderat multimilionëshe të marra nga Fusha.

Së fundmi “Fusha”, ka fituar edhe një tender tjetër nga një institucion që varet nga kryebashkiaku Veliaj. Bëhet fjalë për Ujësjellës Kanalizime Tiranë që drejtohet nga Redi Molla. Objekti i këtij tenderi është “Sistemim asfaltim dhe kthimi në gjendjen fillestare të segmenteve rrugore pas ndërhyrjes në rrjetin e Ujësjellësit dhe Kanalizimeve në qytetin e Tiranës për vitin 2019”.

Për kryerjen e këtyre punimeve “ Fusha” do të fitojë 176 milionë lekë dhe do të kryejë punimet për 12 muaj në të gjitha vendet ku do të bëhet ndërhyrje nëpër segmente rrugore nga UKT.

I çuditshëm është fakti se në specifikat e tenderit nuk jepet asnjë detaj për ndërhyrjet që do të kryhen nga UKT-ja në rrjetin e ujësjellës kanalizime.

Për Shkëlqim Fushën, ky ndoshta mund të jetë ndër tenderat me shifrën të ulët e cila i është dhënë nga Bashkia e Tiranës, pasi të tjerët kapin edhe miliardat.

Se Shkëlqim Fusha është i preferuari i kryebashkiakut Veliaj e tregojnë edhe shifrat zyrtare të Thesarit. Për 4 vitet e fundit kjo kompani ka fituar rreth 100 miliardë lekë.

Ndërsa vetëm nga Bashkia e Tiranës ka përfituar 41 miliardë lekë, çka do të thotë se pothuajse gjysmën e fitimit të parave për këto 4 vite ia ka dhënë Veliaj.

Këto miliarda lekë, miku i Rilindjes i ka fituar në 38 tendera.