JOQ Albania
Home

Paketa ‘anti-shpifje’/ OSBE: Asnjë ligj nuk duhet të pengojë lirinë e shtypit
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 13/01/2020 20:11

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Përfaqësuesi i OSBE-së për shtypin, Harlem Desir ka reaguar në lidhje me paketën "Anti-shpifje" të qeverisë së Ramës, e cila kërkon censurimin e medias online. Ai tha ditën e sotme se është i gatshëm të punojë me autoritetet shqiptare për përmirësimin e ligjit të shtypit.

Në deklaratën e zyrës së OSBE-së, u tha se asnjë legjislacion nuk duhet të pengojë aspak lirinë e shtypit.

“Përfaqësuesi i medias përsërit se asnjë pjesë e legjislacionit të ri nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit. Ai shpreson se rivotimi i ligjit do t’u hapë rrugën sqarimeve dhe përmirësimeve të mëtejshme të këtij ligji në mënyrë që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e zyrës së OSBE-së për lirinë e medias.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në parlament ndryshimet në dy ligje “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”, shkruan "zeriamerikes.com".

Sa i takon ligjit të parë, Presidenti Meta vlerëson se ai bie në kundërshtim me parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit.

Ndërsa lidhur me ndryshimet në ligjin “Për komunikimet elektronike” Presidenti Meta shprehu shqetësim për fuqinë e tepërt ndëshkimore që merr AKEP ndaj mediave.

Qeveria e Shqipërisë dhe shumica socialiste në parlament kanë këmbëngulur se paketa anti-shpifje ka mbështetjen e plotë të OSBE-së.