Një aksident i rëndë ka ndodhur pak minuta më parë tek "Rruga e Kombit", përgjatë aksit Rubik-Rrëshen.
Mësohet se një automjet është përplasur me një autobus dhe më pas ka humbur kontrollin, duke u përplasur me bordurën e rrugës.
Përplasja ka qenë aq e fortë, saqë automjeti është ndarë më dysh.
Disa dëshmitarë kanë dërguar edhe pamjet e tmerrshme nga vendi i ngjarjes, ku shihet se si është copëtuar makina në dy pjesë.
Siç shihet dhe në videon e dërguar në redaksinë e JOQ Albania nga një dëshmitar në vendngjarje, një person ka mbetur i shtrirë pa ndjenja pranë automjetit të ndarë në dy pjesë, i cili është drejtuesi i makinës së aksidentuar.
Sipas dëshmitarëve, aksidenti ka ndodhur rreth orës 07:20 të mëngjesit, ndërsa dyshohet se drejtuesi i makinës së ndarë më dysh ka ndërruar jetë në vend.
Ende nuk dihen rrethanat e aksidentit, pasi nuk ka një njoftim zyrtar nga Policia lidhur me ngjarjen e rëndë.