Sulmuesi i Kombëtares, Armando Sadiku vijon të shkëlqejë me skuadrën e Malagas.
28-vjeçari elbasanas i ka dhënë fitoren skuadrës së tij me dopietën e realizuar në ndeshjen kundër Tenerifes.
Goli i parë u shënua në minutën e 28-të të pjesës së parë gjatë një goditjeje nga këndi. Sulmuesi shqiptar kontrolloi bukur topin pas një rrëmuje të krijuar në zonën kundërshtare, duke e dërguar topin në rrjetë.
Ndërsa golin e dytë, elbasanasi e shënoi nga pika e bardhë e 11-metërshit.
Ndeshja u mbyll me rezultatin e pastër 2-0, ku njeriu i ndeshjes u shpall pa dyshim Sadiku, i cili i dha tre pikë të çmuara ekipit spanjoll me dopietën e tij.
Malaga militon në La Liga 2 pas rënies nga Primera Division. Malaga vinte në këtë ndeshje pas 3 barazimeve dhe 2 humbjeve në ndeshjet e fundit.