JOQ Albania
Home

Enkel Demi për Edi Ramën: Plaku i Surrelit, jo më gazetarëve po askujt nuk i kall më datën
Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 02/12/2019 18:05

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nga Enkel Demi

Që kur pllakosi zezona e këtij tërmeti, Plaku i Surrelit nisi ethshëm të kërkojë një shkaktar të kësaj gjëme. Zoti ndoshta është fajtor, por i duhen paret e fondacionit të Elvis Naçit. Ndaj nisi të kërkojë rrotull. As Lali, as Erion Braçe nuk i doën në pritshmëritë e duhura të mërisë, ndaj vendosi ta gjejë armikun e brendshëm tek mediat, gazetarët kriminalë, përhapësit e panikut dhe më the të thashë. Kështu që del e i kanos përditë. Ashtu si në tym, i fut të tërë në një thes, të gjithë fajtorë pse raportojnë dhe nuk i binden mesazheve të Fugës që mos e nxirr këtë koment, mos e boto këtë lajm. Sot, madje i Përndrituri, të cilit i shkoi vetë në mendje puna e hoteleve dhe, i vajti mendja edhe tek ligji japonez për mediat në rastet e fatkeqësive natyrore. Autoritetet e mirënjohura aziatike ua bëjnë mediave 8 me 2, kur ka ngjarje të këtilla. Tani, e para duhet të lëvdojmë Plakun e Surrelit që në këto ditë të ngjeshura ka aq shumë kohë të lirë, sa të qëmtojë ligjet e Japonisë, por me siguri nuk do ketë patur kohë mjaftueshëm të qëmtojë dhe qeverisjen e atij vendi. Përndryshe do të kishte vënë re që ata kanë qeveri dhe jo reality apo telenovelë turke. Do kishte parë që japonezët të parën kanë dinjitetin njerëzor dhe çdo kryeministër i tyre do kishte bërë hara-kiri, nëse shefat e tij të policisë vidhnin ndihmat humanitare. Ata kanë një kryeministër që del në televizor, kur është shumë-shumë e nevojshme dhe jo që pa ardhur sabahu deri në aksham. Por, nejse, tani fajin e kanë mediat. E mësuam dhe që do të ndëshkohen, do bëhen shembull, sepse madje tërmeti është një komplot mediatik, pasi ai nuk ka ndodhur, por janë gazetarët që i kanë tundur themelet e tokës, pasi i prekën damarët e saj në Kanalin e Kuçedrës te Gjiri i Lalzit. Prandaj, Plaku i Surrelit po shkumon çdo ditë ndaj mediave, vetëm një gjë të vogël si nuk e kuptoi, aq i mençëm dhe i squt sa është: Pse nuk tuten? Pse nuk ia kanë frikën? Kush i frigohet më një burri të vjetër, të lodhur që nuk kërcënon më as të vetët? Ja u gafurret atyre, ata ulin kokën dhe bëjnë sikur e dëgjojnë, por sa dalin poshtë zgrepin ndonjë gjë, i shajnë të munduarit, i përzënë. As ata nuk i frikëson më Plaku i Surrelit, jo më gazetarët, pasi askujt nuk i kall më datën, njësoj si ai qeni që i lehte dje “Rama ik!”, por një m*t të kafshon.