JOQ Albania
Home

Dyshohet për varrezë masive në oborrin e Universitetit, dëshmitarët: Në kohën e luftës janë bartur me qese të zeza
Shkruar nga: E Jashari | Publikuar më: 22/11/2019 15:21

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Në ditën e martë do të hapet një pjesë e oborrit të Universitetit të Prishtinës, ngjitur me Kishën Ortodokse, pasi dyshohet për një varrezë massive.

Ky kërkim është planifikuar pasi disa dëshmitarë kishin thënë se kishin parë gjatë luftës gërmime dhe qese të zeza, raporton JOQ Kosova.

Gërmimi do të bëhet me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, ndërkohë që drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, thotë se dëshmitarët kanë treguar se në atë pjesë ka pasur lëvizje me ekskavatorë kryesisht natën në kohën e luftës.

“Puna jonë shpesh lidhet me kushtet atmosferike dhe shpesh mund të ndodh që lëvizet plani për një ditë, dy apo një javë, mirëpo ne jemi duke punuar në terren dhe në disa fronte. Sot, kemi bërë planifikimin dhe zbatimin e urdhëresës së prokurores Drita Hajdari dhe të martën do të dalim në territorin e Universitetit të Prishtinës, tek Kisha Ortodokse për shkak të disa rrethanave të dëshmitarëve të një vendi ku e kemi gërmuar më herët, por thuhet që është një vend tjetër dhe të njëjtin do ta kontrollojmë të martën në orën 09:00 në Universitetin e Prishtinës”, ka thënë Gërxhaliu.

Ndryshe, në oborrin e Universitetit ishin realizuar edhe disa kërkime, por kishin përfunduar pa ndonjë gjetje.