JOQ Albania
Home

Plagosja e trefishtë në Durrës, shoqërohet në polici modelja e njohur shqiptare
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07/11/2019 17:23

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati me tre të plagosur tek mbikalimi i Shkozetit në Durrës.

Makina ku udhëtonte prokurori Arjan Ndoja, miku i tij, Aleksandër Laho (Rrumi) dhe shoferi, Andi Maloku, u qëllua pasditen e 1 nëntorit nga persona ende të paidentifikuar me breshëri plumbash, duke i lënë të plagosur të tre.

Referuar hetimeve, mësohet se një tjetër person është përfshirë në ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin bregdetar.

Celularët e tre të plagosurve janë sekuestruar nga prokurorët, të cilët po zbërthejnë tabulatet telefonike, që do të zbulojnë më shumë detaje mbi ngjarjen.

Burime për Vizion Plus kanë bërë të ditur se në pyetje është marrë edhe një vajzë, personazh i njohur i showbizz-it shqiptar, e cila rezulton se ka pasur komunikime të shpeshta me 34-vjeçarin, Redjan Rraja. Ky i fundit është i vetmi person i vënë në pranga deri më tani, pasi dyshohet se ka qenë një prej autorëve të atentatit.

Emri i vajzës nuk bëhet me dije, por mësohet se ajo është një modele që ka qenë mjaft aktive në televizionet shqiptare gjatë 2 viteve të fundit.

Disa orë pas krimit, policia gjeti edhe makinën e braktistur të autorëve në Ishëm, brenda së cilës ndodheshin dy armë tip kallashnikov, dy maska, si dhe u zbuluan shenja gishtërinjsh e flokë.