JOQ Albania
Home

171 milionë lekë për skanime në DPSHTRR, Blendi i bën “gonxhen” taksave tona
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 04/11/2019 21:43

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Jetojmë në Shqipëri dhe prej vitesh tashmë parrulla bazë e atyre që qeverisin institucionet shtetërore është se si të gllabërojnë sa më shumë para nga fondet publike të taksapaguesëve shqiptarë. Por përveçse shifrat e parave “në lojë” janë në shifra të konsiderueshme, të bën habi fakti se si askush nga këta qeverisës institucionesh nuk përpiqet që të paktën arsyeja e shpenzimit të këtyre parave të jetë disi e besueshme.

Një rast i tillë është ky që po ju paraqesim në vijim. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, apo e njohur ndryshe si DPSHTRR, që aktualisht ka drejtor të përgjithshëm z. Blendi Gonxhja, ka publikuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik një procedurë mjaft të çuditshme prokurimi.

Objekti i marrëveshjes kuadër është: ” Shërbim printimi, fotokopjimi dhe skanimi në sistemin e Drejtorisë së Përgjithshme, Drejtorisë Rajonale Tiranë dhe Durrës të Shërbimeve të Transportit Rrugor” me fond limit 17,145,540 (shtatëmbëdhjetë milion e njëqind e dyzetë e pesë mijë e pesëqind e dyzetë) lekë të reja pa TVSH.

Pra drejtorisë së mësipërme të drejtuar nga z. Blendi Gonxhja i duhet të shpenzojë plot 171 milionë lekë të vjetra nga taksat e shqiptarëve për të skanuar dokumenta! Numri i referencës së procedurës/lotit është: REF-41394-10-29-2019.

Nuk dihet arsyeja se përse 171 milionë lekë të vjetra nga taksat tona duhet që të harxhohen për të skanuar apo fotokopjuar dokumenta në një kohë që fare mirë këtë mund ta bëjnë punonjësit që vetë Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka në organikën e saj.

Ndoshta thjesht emri i rradhës për shpërdorimin e rradhës?/JOQ ALBANIA