Në verilindje të Gramshit, pranë pranë fshatrave Kabash e Bardhaj ndodhet Kanioni i bukur i Holtës. Ai është formuar nga erozioni i lumit Holtë dhe dukuritë karstike, që e kanë shndërruar në një sensacion turistik.
Ndonëse prej vitesh ky kanion është shpallur monument natyre e rrjedhimisht si i tillë duhet mbrojtur, faktet tregojnë se po ndodh e kundërta.
Një qytetar dërgoi pak muaj më parë një mesazh në redaksinë e JOQ Albania, ku me anë të disa fotove tregonte se në këtë zonë sapo kishte nisur të ndërtohej një hidrocentral.
Pasi çështja u bë mediatike dhe u paralajmërua zhvillimi i një protestë kundër ndërtimit të hidrocentralit, qeveria u tërhoq dhe premtoi se nuk do të ndërtohej HEC-i.
Jo më larg se disa ditë më parë një tjetër qytetar dërgoi një video në redaksinë e JOQ Albania, ku demaskoi premtimin e qeverisë, teksa në pamje shihej se projekti për HEC-in jo vetëm që nuk është anulluar siç u premtua, por punimet vijojnë ende sot e kësaj dite.
Ndërkohë pasditen e sotme një tjetër qytetar ka shkruar pranë redaksisë së JOQ Albania, ku dëshmohet se punimet për ndërtimin e hidrocentralit nuk janë ndalur asnjë çast.
Qytetari shkruan se kanionet dhe lumi i Holtës janë duke u shkatërruar dhe mbi këtë vend të bukur që natyra na ka falur po kryhet një masakër e madhe mjedisore.
Siç shihet dhe në fotot e dërguara nga denoncuesi, makineritë vijojnë ende punën, ndërsa po vendosen edhe tubat e HEC-it.