JOQ Albania
Home

Kërkimet e tyre ndihmojnë në betejën kundër kancerit, këta janë fituesit e Nobelit për Mjekësinë
Shkruar nga: E Prifti | Publikuar më: 07/10/2019 14:07

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ditën e sotme janë shpërndarë çmimet Nobel në Mjekësi për vitin 2019.

Këtë vit çmimi i madh i është dhënë tre shkencëtarëve nga Anglia e SHBA-të, William Kaelin Jr., Sir Peter Ratcliffe dhe Gregg Semenza.

Tre shkencëtarët kanë marrë Nobelin për Mjekësinë për kërkimin që kanë bërë lidhur me mënyrën në të cilën reagojnë qelizat njerëzore ndaj ndryshimit të nivelit të oksigjenit.

Duke njoftuar çmimin në Institutin Karolinska, Stokholm të hënën, komiteti i Nobel tha se me punën e tyre, tre shkencëtarët kanë hapur rrugën për strategji të reja dhe premtuese për të luftuar aneminë, kancerin dhe shumë sëmundje të tjera.

Fituesit e këtij çmimi për vitin 2019, sipas komitetit, kanë identifikuar mekanizmin molekular që rregullon aktivitetin e gjeneve në përgjigje të ndryshimit të niveleve të oksigjenit.

Komiteti shpegoi më tej se rëndësia e oksigjenit dihej me kohë, por sesi qelizat përshtaten ndaj ndryshimeve të nivelit të tij, kjo mbetej e panjohur.

Randall Johnson, anëtar i komitetit, u shpreh se zbulimet e treshes tashmë do të shtohen në librat shkollorë.

Ai u shpreh:

Kjo është diçka që do të mësojnë nxënësit në lëndën e biologjisë, në moshën 12-13-vjeçare apo edhe më të vegjël..ata do të mësojnë mënyrat fondamentale sesi qelizat funksionojnë…"

Sa i përket fituesve, Kaelin është nga Nju Jorku dhe i ka vazhduar kërkimet nga laburatori i tij tek Instituti Dana-Farber për Kancerin në Boston dhe që prej vitit 2002 është pedagog në Harvard Medical School.

Semenza, është gjithashtu nga Nju Jorku, dhe që prej vitit 1999 jep mësim në Universitetin Johns Hopkins ndërsa që nga viti 2003 është  Drejtori i Programit të Kërkimeve Vaskulare në Institutin Johns Hopkins për Inxhinierinë e Qelizave.

Ratcliffe, ka lindur në Lancashire, Angli, ka studiuar për mjekësi në Universitetin e Cambridge dhe ka themeluar një grup kërkimi të pavarur në Universitetin e Oksfordit, duke u bërë edhe profesor me kohë të plotë në vitin 1996.

Burimi:CNN|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

***

Për t’u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI JOQ ALBANIA: https://m.facebook.com/groups/komunitetiJOQ/