JOQ Albania
Home

Teatri i shëmtuar i politikës dhe duartrokitjet e popullit të vjedhur
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 25/09/2019 16:24

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Që pluhuri i premtimeve të politikës na ka zënë sytë prej vitesh, është e dukshme sa herë që vijnë zgjedhjet, por që të mos e pastrojmë dot nga sytë edhe kur kemi thikën në palcë nga ‘tekat’ e natyrës… është për të ardhur keq.

Tërmeti dhe përmbytjet na shndërruan në një skenë teatri ku politikanët i kishin të ndara shumë mirë rolet dhe aktrimi meritonte duartrokitjet e të gjithëve, pa përjashtuar ndërkombëtarët indiferentë. Mbledhje qeverie, mbledhje e këshillit bashkiak, mbledhje e Grupit Parlamentar, mbledhje me Emergjencat Civile, mbledhje me Forcat Speciale, mbledhje me dreqin, mbledhje me shejtanin, u bënë brenda një dite për të parë se qeveria shqetësohet, punon. Më saktë urdhëron, jep udhëzime, detyra si çdo qeveri e botës. Por ndryshe nga bota ne nuk veprojmë!

Duhet ta kuptojmë se strukturat përkatëse, nuk është se nuk dinë si të menaxhojnë situata të tilla, thjesht nuk kanë para. Jemi të vjedhur. Ata që na japin urdhra dhe udhëzime i kanë në kasafortën e tyre që s’ka ç’i bën as tërmeti.

Kjo ishte pjesa e parë e shfaqjes teatrale.

Pjesa tjetër janë përmbytjet, që për fatin tonë të keq zunë vend pa u larguar tërmeti. Në këtë pjesë rol kryesor pati Lali i Tironës. Ai me gjithë ekipin e punës në bashki nuk u fut fare në skenë dhe duartrokitjet u morën. Kësaj i thonë të duartrokasësh ujin deri në gju dhe erën e fekaleve në hundë.

Një pjesë të vogël në rol pati dhe zëri i ngjirur i himnit, por që nuk mori asnjë duartrokitje, pasi publiku ishte paguar për reagim ndryshe. Problemi i tij ishte se u kujtua vonë të hynte në skenë, nuk shfrytëzoi momentin kur aktorët e tjerë bënin mbledhjet.

Në fund të fundit, aktorët vlerësohen, publiku është i destinuar të trokasë përsëri, edhe në shfaqje të tjera.

JOQ ALBANIA

***

Për t’u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI JOQ ALBANIA: https://m.facebook.com/groups/komunitetiJOQ/