Mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka, u vërshëllye ditën e djeshme nga tifozët e tij gjatë fitores 3-2 ndaj Aston Villas në Premier League.
Futbollisti me origjinë shqiptare nuk po bën paraqitje të mira me "Topçinjtë" dhe kjo gjë ka rënë edhe në syrin e tifozëve të cilët nuk ia kursyen kritikat dhe vërshëllimat, teksa Xhaka po linte fushën e lojës.
Ky moment, ka rënë edhe në syrin e trajnerit Unai Emeri, i cili është munduar të zbusë situatën.
Ai u shpreh:
Ne kemi nevojë për tifozët tanë dhe kemi nevojë që ata të ndihmojnë secilin lojtar. Xhaka po mban shumë përgjegjësi mbi supe. Ai luajti shumë mirë të enjten kundër Eintracht Frankfurt në Europa League dhe javën e kaluar në Watford ai bëri mirë. Ndaj Aston Villës, unë e zëvendësova sepse ai luajti për 90 minuta të enjten dhe doja të sillja lojtarë të rinj. Por, Xhaka është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Ai ka një angazhim të madh këtu, ai po përmirësohet. Unë nuk po kërkoj nga njerëzit që ta mbështesin, por ju siguroj se ai do të arrijë gjërat e tij më të mira nëse tifozët e ndihmojnë atë”.