JOQ Albania
Home

Teatri Kombëtar ‘shuplakë’ Ramës dhe Veliajt: S’ka ç’më bën tërmeti, aq më pak ju
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 22/09/2019 13:08

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Tërmetet që na lëkundën herë pas here na bënë që ta shohim më mirë situatën ku jemi. Mes panikut dhe ankthit pamë një frymë bashkëpunimi dhe ndihmese mes njëri-tjetrit.

Ajo që na bëri më shumë përshtypje është fortësia e Teatrit Kombëtar. Gjithë ato lëkundje të njëpasnjëshme dhe asnjë ‘rënkim’ nga godina artdhënëse.

Muzeu , Opera dhe shumë universitete u plasaritën, ndërsa tempulli i artistëve të vërtetë qëndroi si një fortesë e Kastriotëve.

I palëvizshëm dhe asnjë xham të thyer. Madje as shkronjat që vetë artistët ia vendosën nuk bënë lëvizjen më të vogël.

Të gjithë ata që patën ndopak dyshime dhe besonin fjalët qeveritare se teatri është një godinë e vjetër ‘plakaruqe’, sot ulin kokën kur kalojnë pranë tij.

Sot edhe ata e kuptojnë që teatri nuk po prishet si një ndërtesë që nuk ofronte siguri për shfaqjet teatrale apo komoditet për shikuesit, por po shembet për të mbushur xhepat e disa oligarkëve që kanë kryqëzuar duart dhe kthyer gotat me disa qeveritarë që ne i kemi votuar.

Teatri nuk do të ‘rrafshohet’ për t’i siguruar aktorëve kushte më të mira pune, por për të ngritur kulla e qendrat tregtare në një tokë publike.

Teatri është një ndërtesë që mund të restaurohet, dhe për këtë të gjithë biem dakord. Ai kurrsesi nuk duhet të prishet për interesat e një grupi të vogël personash.

Sa do donim që teatri sot të fliste. Të dilte në shesh dhe te rrihte gjoksin me të madhe duke thënë: “Skeni ç’më bëni! Jam ndërtesë që dhuroj art, jo para.”

Kjo ishte lëkundja e parë që tërmeti i dha drejtuesve tanë xhepgjerë.

JOQ ALBANIA

***

Për t’u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI JOQ ALBANIA: https://m.facebook.com/groups/komunitetiJOQ/