JOQ Albania
Home

Ndërtoi pallatin e Linda Ramës, vëllai i shefit të Gardës përfiton miliona euro nga taksat tona
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 10/09/2019 19:07

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Me sa duket “Fusha” shpk nuk është e vetmja kompani e privilegjuar e Rilindjes. Në skenë ka dalë një tjetër kompani jo shumë publike, “2T”, që rezulton se është bashkë-fituese me shoqërinë  “Fusha” shpk e një tenderi me vlerë rreth 4 miliardë lekë (të vjetra), të zhvilluar nga Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, të zhvilluar në verën e vitit 2018.

“Fusha” shpk tashmë është një emër i njohur për shkak të lidhjeve të ngushta me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe kryeministrin Edi Rama, kompania tjetër, “2T” është munduar të ruajë një profil më të ulët.

Në bazë të të dhënave të publikuara nga portali “opendata.al”, rezulton se “2T” ka përfituar rreth 10 miliardë lekë (të vjetra) nga tenderat publikë të zhvilluar nga institucionet qëndrore, në periudhën 2013-2019.

Kompania “2T”, me objekt ndërtime, është krijuar në vitin 2000 dhe ka ortakë biznesmenët Artan Sako dhe Dritan Troksi. Bashkëpronari Sako është gjithashtu edhe një prej administratorëve të kompanisë.

Artan Sako është vëllai i Komandatit të Gardës së Republikës, i emëruar në këtë detyrë sapo Edi Rama mori detyrën e kryeministrit për herë të parë në vitin 2013,shkruan Bold News.

Gjithashtu, publikime mediatike të disa viteve më parë e lidhnin emrin e Artan Sakos me ndërtimin e atij që Partia Demokratike e konsideronte si “pallati i Linda Ramës”, bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama.

Në Janar të vitit 2013, Partia Demokratike dorëzoi një kallëzim penal për zyrtarët e Bashkisë së Tiranës. Objekt i kallëzimit ishte një leje ndërtimi, e dhënë në vitin 2006, kohë kur bashkia e kryeqytetit drejtohej nga Edi Rama.

Sipas kallëzimit, Bashkia i kishte dhënë leje ndërtimi familjes së Linda Basha (Rama), në atë kohë mikeshë dhe më pas bashkëshorte e Edi Ramës, në një territor i destinuar për lulishte, pranë zonës së Institutit të Higjenës në Tiranë.

Nga të dhënat e publikuara në vijim të këtij kallëzimi, rezultoi se prona që u zhvillua ishte në pronësi të vëllait dhe xhaxhait të Linda Basha (Rama).

Po, ashtu, në media të ndryshme u publikuan të dhëna se ndërtesa 5-katëshe ishte ndërtuar nga kompania “2T”, me administrator Artan Sako. Zëra të ndryshëm opozitarë e lidhnin angazhimin e Artan Sakos tek pallati i familjarëve të Linda Ramës, si një nxitje për emërimin e vëllait të ndërtuesit, pra Gramos Sakos, në postin e Komandantit të Gardës së Republikës.

Dy nga institucionet, prej të cilave “2T” ka përfituar të ardhurat më të mëdha, janë Bashkia e Tiranës dhe Fondit Shqiptar i Zhvillimit.

Gjatë periudhës 2015-2019, kohë kur bashkia e Tiranës drejtohet nga socialisti Erion Veliaj, “2T” rezulton se është shpallur fitues në tendera me vlerë rreth 1.5 miliardë lekë (të vjetra).

***

Për t’u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI JOQ ALBANIA: https://m.facebook.com/groups/komunitetiJOQ/

***

Për t’u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI JOQ ALBANIA: https://m.facebook.com/groups/komunitetiJOQ/