JOQ Albania
Home

Sociologu: Ja pse profeti pranoi kërkesën e Zotit për të sakrifikuar fëmijën e tij
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12/08/2019 8:20

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Teksa ditën e djeshme u kremtua në të gjithë boën Kurban Bajrami, profesori i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Ardian Gola, ka sqaruar përmes një shkrimi në Facebook arsyet pse profeti Ibrahim pranoi që të sakrifikonte fëmijën e tij me kërkesë të Zotit.

Profesori tregon edhe se cili është mesazhi i kësaj feste.

Ai shprehet se nëse shoqëria në të cilën jetojmë nuk është e organizuar rreth parimeve, të cilat garantojnë parakushtet për veterealizim si individë, atëherë ajo degradon në kaos ndërsa individët përfundojnë në qenie egoiste dhe egocentrike.

Duke e vendosur në kontekstin aktual historinë e profetit, Gola thotë se ndërkohë që për liri vendosëm të sakrifikojmë jetën, për shtet duhet të vendosim të sakrifikojmë lakminë, grykësinë, pangopësinë, makutërinë etj.

Shkrimi i plotë:

Vendosmëria e profetit Ibrahim për të sakrifikuar fëmijën e tij, pasi Zoti i kishte kërkuar diçka të tillë, paraqet një simbolikë shumë domethënëse. Ajo përçon mesazhin e fuqishëm, sipas të cilit secili prej nesh duhet të kemi qëllime të cilat tejkalojnë veten tonë dhe janë mbi veten tonë.
Është e vërtete se ne jemi qenie individuale, në lindje dhe në vdekje, por s’mund të zhvillohemi dhe të përmbushemi si qenie individualiste ndryshe përpos se në shoqëri.
Nëse shoqëria në të cilën jetojmë nuk është e organizuar rreth parimeve, të cilat garantojnë parakushtet për veterealizim si individë, atëherë ajo degradon në kaos ndërsa individët përfundojnë në qenie egoiste dhe egocentrike.
Një organizim mbi parime të tilla i shoqërisë, më së miri shprehet përmes shtetit funksional të së drejtës. E për ndërtim të një shteti të tillë, lipset tejkalim i vetvetes, ashtu sikurse profeti Ibrahim, ngase ai është qëllim sublim, që shkon përtej interesave të drejtpërdrejta individuale.
Ashtu sikurse liria nuk do të vinte pa vendosmërinë për sakrifice edhe shteti nuk do të mund të bëhet pa sakrificë. Ndërkohë që për liri vendosëm të sakrifikojmë jetën, për shtet duhet të vendosim të sakrifikojmë lakminë, grykësinë, pangopësinë, makutërinë etj.
Por, mos të harrojmë, po flasim vetëm për demonstrim të sinqertë të vendosmërisë.
Fundja profetit Ibrahim nuk iu desht ta sakrifikojë fëmijën e tij. Mjaftoi të tregonte vendosmërinë e tij. Për ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit, mjafton të tregojmë vendosmërinë. Tjerat rrjedhin vetë.

Besimtareve myslimanë, urime dhe për shumë mote Kurban Bajramin!”