28 deputetë socialistë kërkojnë shkarkimin e ish-ministrit të hershëm të PS Arben Malaj, nga posti që mban aktualisht në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Mësohet se deputetët e PS kanë firmosur një dokument të cilin ia kanë dërguar Kuvendit dhe që do shqyrtohet të enjten në seancë plenare.
Përmes këtij dokumenti socialistët kërkojnë shkarkimin e Arben Malajt pasi sipas tyre ai ka shkelur etikën duke bërë prononcime politike në media.
Të njohura janë përplasjet e Malajt me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliajn si dhe kritikat ndaj qeverisë.
Prej vitit 1997 Arben Malaj ka qenë një nga njerëzit më kryesor në Partinë Socialiste. Malaj ka marrë disa mandate si deputet në Kuvend gjatë karrierës politike, ndërsa ka qenë dy herë ministër i Financave dhe një herë ministër Ekonomie.
Gjatë karrierës së tij të pasur profesionale, Malaj ka dhënë kontributin e tij si në fushën akademike ashtu dhe në shërbim të sektorit publik.